Papa Françesku e ka dënuar dhunën në familje kundër grave si “pothuajse satanike”, në disa nga gjuhët e tij më të forta deri më tani për këtë çështje.
Kreu i Kishës Katolike e bëri këtë vërejtje të dielën gjatë një programi të transmetuar në rrjetin TG5 të Italisë. Ai foli me një panel prej katër personash me të kaluara të vështira, duke përfshirë një të mbijetuar të abuzimit në familje.
Ai u ankua për numrin “shumë, shumë të lartë” të grave “të cilat janë rrahur dhe dhunuar në shtëpitë e tyre”.
“Problemi është se, për mua, është pothuajse satanike, sepse është duke përfituar nga një person që nuk mund të mbrohet, i cili vetëm mund të përpiqet t’i bllokojë goditjet. Është poshtëruese. Shumë poshtëruese”, shtoi Papa Françesku.
Ai foli me një grua të quajtur Giovanna, e cila tha se ishte arratisur nga një shtëpi e dhunshme me katër fëmijët e saj.
Papa shtoi se gratë që pësuan abuzime nuk e kanë humbur dinjitetin e tyre.
“Unë shoh dinjitet tek ju, sepse nëse nuk do të kishit dinjitet, nuk do të ishit këtu”, i tha ai Xhovanës. “Shikoni Nënën e Bekuar dhe qëndroni me atë imazh të guximit”.