Papa Françesku e ka bërë të detyrueshëm me ligj raportimin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Vatikan dhe në të gjitha ambasadat e këtij shteti në tërë botën.
Ndonëse qyteti shtet brenda territorit të Romës është i vogël dhe shumë pak fëmijë jetojnë në të, këto ndryshime ligjore pasqyrojnë dëshirën për të dëshmuar se Kisha Katolike më në fund po vepron kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve pas dekadave të skandaleve në tërë botën.
Ndryshimet e nënshkruara nga Papa, i cili është udhëheqës i Kishës dhe njëkohësisht udhëheqës i shtetit, e bëjnë të detyrueshëm raportimin e dyshimeve për dhunë seksuale të fëmijëve nga mbikëqyrësit dhe bashkëpunëtorët. Në këto ndryshime përfshihen dënime në rast të dështimit për t’i raportuar rastet e dyshimta. Ndëshkimet mund të jenë me të holla dhe me burg, ndërsa viktimave dhe familjeve të tyre do t’iu ofrohet asistencë.
Ky ligj përcakton procedurat e raportimit të dyshimeve për abuzim, kërkon më shumë hulumtime për të punësuarit e ardhshëm, cakton udhëzime të prera për raportet e të rriturve me fëmijët dhe për përdorimin e rrjeteve sociale.
Kredibiliteti i Kishës është dëmtuar në masë të konsiderueshme në pjesën më të madhe të botës për shkak të skandaleve të dhunës seksuale në Irlandë, Kili, Australi, Francë, Shtetet e Bashkuara, Poloni, Gjermani dhe në shtete tjera. Kishat janë detyruar t’i paguajnë miliarda dollarë për viktimat dhe t’i mbyllin famullitë në disa shtete, shkruan “Reuters”.