Paqartësi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Poloni

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 13:37 | Nga

Themelimi i misioneve diplomatike të Kosovës në shtetet e huaja është detyrë dhe përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Së fundmi është presidenti Hashim Thaçi, ai i cili ka paralajmëruar hapjen e ambasadës së Kosovës në tri shtete si Katari, Portugalia dhe Polonia.

Mirëpo pavarësisht kësaj, Kosova ende nuk ka të vendosura marrëdhënie diplomatike me Poloninë, gjë e cila është akti kryesor për hapjen e ambasadës në këtë vend.

Lidhur me këtë, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani ka thënë për Telegrafin se si komision nuk janë njoftuar ende zyrtarisht për hapjen e këtyre tri misioneve diplomatike.

“Dekretet për themelimet e tri misioneve diplomatike i kam parë në medie por nuk jemi njoftuar zyrtarisht si Komision nga asnjë institucion”, tha Osmani.

Ajo shtoi se sa i përket Polonisë, ky është shteti i vetëm njohës në Bashkimin Evropian me të cilin deri tani nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

“Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike bëhet në disa mënyra, përfshi nënshkrimin e Joint Communique, deklarimet për medie të dy palëve, akreditimi i ambasadorit rezident ose jorezident, përmes themelimit të një misionin të ri diplomatik etj. Në këtë rast, themelimi i misionit tonë diplomatik në Poloni do të nënkuptonte automatikisht edhe hyrje në marrëdhënie diplomatike me atë shtet”, ka thënë Osmani për Telegrafin.

Osmani ka theksuar se mënyra se si është ndërmarr ky hap është shqetësuese, pasi që sipas saj duke bërë publike këto dekrete, presidenti ashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë shkelur rregullat bazë të komunikimit diplomatik, atë të diskrecionit.

“Kjo nënkupton që vetëm pas marrjes së pëlqimit nga shteti pritës atëherë kjo informatë bëhet publike. Pra, MPJ duhet të sqarojë nëse kanë marrë pëlqimin nga Polonia për lidhje të marrëdhënieve diplomatike nëpërmjet themelimit të misionit”, theksoi Osmani.

Telegrafi ka kontaktuar dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli për të pyetur se a ka Kosova marrëdhënie diplomatike me Poloninë, mirëpo në përgjigjen e tij Pacolli ka thënë se “kemi marrëdhënie të mira që mundësojnë krijimin e kushteve për thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”.

Ai tutje ka shtuar se janë në proces të fuqizimit të prezencës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Jemi në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do të inaugurojmë ambasadën e Republikës së Kosovës në Poloni. Gjithashtu jemi në proces e sipër të hapjes së ambasadave edhe në vendete e tjera për të vazhduar fuqizimin e prezencës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me Poloninë kemi punuar shumë në ndërtimin e marrëdhënieve dhe tani është koha për vepruar”, ka thënë Pacolli.

Telegrafi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Zyra e Presidentit, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen.

Ndryshe presidenti Hashim Thaçi, javën që shkoi përmes një postimi në Twitter ka theksuar se ka firmosur dekretet për hapjen e ambasadave në Katar, Poloni e Portugali.

“Unë kam firmosur dekretet përkatëse bazuar në kërkesat edhe vlerësimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli të inicojë hapjen e ambasadave tona të reja në Katar, Poloni dhe Portugali. Rrjeti ynë diplomatik po zgjerohet për të siguruar një gjurmë më të madhe ndërkombëtare të Republikës sonë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Të ngjashme