Protesta kombëtare e paralajmëruar për 28 Nëntor në Tiranë ka vënë në lëvizje strukturat e sigurisë në Shqipëri, veçanërisht Drejtorinë e Antiterrorit pranë Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve të Arbresh.info, autoritetet shqiptare kanë shtuar masat parandaluese, duke përqendruar vëmendjen te grupet e organizuara radikale, aktorët joshtetërorë dhe individët nga vendet e rajonit, të cilët dyshohet se mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Në kuadër të këtyre masave, bëhet e ditur se strukturat e sigurisë kanë përgatitur një listë me persona që konsiderohen potencialisht të rrezikshëm për rendin kushtetues dhe sigurinë e Shqipërisë.
Sipas informacioneve të Arbresh.info bëhet fjalë kryesisht për shtetas të huaj me kombësi shqiptare, të cilët mund t’u nënshtrohen kontrolleve të shtuara dhe marrjes në pyetje gjatë tentativës për të hyrë në territorin shqiptar.
Sipas informacioneve, në protestën e paralajmëruar në Tiranë pritet të marrin pjesë edhe persona nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si dhe një pjesë nga Greqia. Megjithatë, sipas të njëjtave informacione, disa prej tyre mund të mos lejohen të hyjnë në territorin e Shqipërisë, për shkak të dyshimeve se mund të nxisin incidente dhe të përshkallëzojnë situatën gjatë protestës.
Dyshimet e autoriteteve lidhen edhe me mundësinë që disa prej këtyre individëve të marrin mbështetje logjistike dhe financiare përmes organizatave joqeveritare, të cilat pretendohet se mund të kenë lidhje me aktorë shtetërorë.
Shqetësimi i strukturave të sigurisë nuk lidhet vetëm me mbarëvajtjen e protestës, por edhe me mundësinë që tubimi të shfrytëzohet nga individë apo grupe të organizuara për të provokuar incidente dhe për të përshkallëzuar situatën në përplasje me forcat e rendit.
Vëmendje e veçantë thuhet se po i kushtohet edhe individëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit, të cilët dyshohet se janë evidentuar më herët për nxitje, organizim apo pjesëmarrje në akte dhune.
Në këtë drejtim, strukturat shqiptare të sigurisë, në koordinim me partnerët rajonalë, pritet të intensifikojnë shkëmbimin e informacioneve dhe kontrollet në pikat kufitare, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e hyrjes së personave që mund të paraqesin rrezik për sigurinë publike.
Ndërkohë, informacione ende të paknfirmuara zyrtarisht flasin për përgatitjen e një liste të re me persona të padëshirueshëm (non grata), ku dyshohet se mund të përfshihen edhe shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë këtij viti, autoritetet shqiptare kanë shpallur persona të padëshirueshëm Valon Belën dhe Bekir Halimin nga Maqedonia e Veriut, si dhe Ikballe Hudutin nga Kosova. Vendimet ndaj tyre janë arsyetuar me pretendimin se kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Shqipërisë./