Paraburgim ndaj dy personave në Prishtinë për trafikim e shfrytëzim të një të miture

Prishtinë | 20 Gus 2019 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.S. dhe A.R. për shkak të veprës penale “Trafikimi me njerëz”.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurve A.S. dhe A.R. iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.

Gjykata ka konstatuar se janë plotësuar kushtet që t’u caktohet kjo masë të pandehurve pasi që ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonin rrjedhën e procedurës penale.

Po ashtu, Gjykata thotë se është përmbushur edhe një kriter tjetër për t’iu caktuar kjo masë ngase ekzistojnë rrethana se nëse lejohen të pandehurit të mbrohen në liri mund të asgjësojnë, fshehin provat e veprës penale, e po ashtu “duke e ditur të kaluarën kriminale tregojnë se të pandehurit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarën e mitur, po ashtu mënyra dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale trafikimi i një të miture, shfrytëzimi i të miturës për shkak të rrethanave të vështira sociale, sjellja e mëparshme e të pandehurve të cilët dyshohen për një mori veprash penale të llojeve dhe natyrave të ndryshme, tregojnë rrezikun se nëse lihen në liri të pandehurit mund të përsëritin veprat penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme”.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Të ngjashme