Deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ku paralajmërohej për luftë ndërmjet Kosovës e Serbisë, mund të ndikojë në largimin e investitorëve potencial në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për të përditshmen italiane “La Repubblica”, Kurti ka përmendur rrezikun që mund t’i shfaqet Kosovës nga Serbia, ndërkaq sipas tij edhe protestat në veri nuk ishin spontane, por të organizuara nga Beogradi me mbështetje të Rusisë.
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Haki Shatri, thotë për Ekonomia Online, se gjuha e shefit të Qeverisë e përdorur në mediat ndërkombëtare është e ekzagjeruar dhe njëherësh, edhe e tepërt. Si e tillë, do të bëhet shkas për largimin e investitorëve.
Ai ka thënë se deklarata e Kurtit për rrezik të plasjes së luftës ndikon negativisht në aspektin ekonomik.
“Faktori tjetër po kaq i rëndësishëm është edhe ndjenja e sigurisë në një vend të caktuar. Asnjë investitor i huaj nuk i merr paret e veta dhe me i dërgu në një vend ku flitet për luftë dhe bile bile jo nga mediet por nga vet kreu i shtetit. Aludohet se do të kemi luftë, jemi të rrezikuar. Me plot njerëz që kam taku kanë qenë të shqetësuar. Ata thonë se kryeministri po paralajmëron luftë, ministrja e ekonomisë ka paralajmëru që do të jetë një dimër tepër i ashpër dhe i ftohtë qe nuk ka me pas energji. Po mbetet vetëm me na tregu kur me i marr teshat dhe me dal me humb nga ky vend, sepse asnjë shpresë nga kjo Qeveri nuk e kanë të mbarë, asnjë premtim dhe asnjë veprim të mbarë”, tha Shatri.
Deklarata të gabuara, i quan edhe ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ai thotë se krahas mundësisë së investitorëve nga Kosova, krijon edhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës.
“Mendoj që këto deklarata të kryeministrit Kurti janë problematike në një rrafsh e ato janë se krijojnë një lloj gjendje të pasigurisë tek qytetarët e Kosovës dhe në anën tjetër krijojnë një lloj imazhi të një vendi problematik. Pra nëse Kosova shihet nga investitorët potencial sikur vendi të hyjë në luftë nesër, atëherë natyrisht interesimi i tyre për investime në Kosovë shumë më i vogël, kështu që me këto po gabon kryeministri Kurti, sepse qëllimi i tij që ka qenë që të paraqitet Serbia si problemi dhe si luftënxitëse, nuk mendoj se do të arrihet nga këto deklarata por që më shumë po i bëhet dëm Kosovës”, tha Ymeri.