Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se mund të ketë nivelizim të pagave për punëtorët e Telekomit të Kosovës.
Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për politika dhe monitorimin e ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se shuma e përgjithshme e mjeteve për paga mujore nuk mund të kalojë 40 për qind të qarkullimit të kompanisë.
“Në muajin korrik rreth 2.5 milionë euro janë shpenzuar vetëm për paga në muaj, tashmë kemi mbi 2 milionë euro. Janë mbi 400 mijë euro kursime mujore në paga. Ndërsa në Planin e rimëkëmbjes së Telekomit, (plan ky që është përgatitur nga menaxhmeti së bashku me Bordin e drejtorëve) është paraparë që pagat e tyre të mos kalojnë mbi 1.6 milion euro në muaj”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Telekomi, që është pronë e Qeverisë së Kosovës, ka vite që ballafaqohet me probleme të mëdha financiare, kurse një nga arsyet e kësaj situate, sipas Krasniqit, është edhe mbipunësimi dhe pagat e larta. Mbi 2,300 është numri i punonjësve në këtë kompani. Faza e parë e uljes së pagave në Telekom ka ndodhur në pjesën e parë të këtij viti.
“Realisht do bëhet një nivelizim i pagave, pasi në Telekom ka një diskrepancë të pagave, varësisht nga grada. Nuk besoj se do të ulet te niveli punëtorëve, por do të ulen te menaxhmeti i lartë dhe zyrtarë të tjerë që kanë pasur paga marramendëse, krahasuar me të hyrat edhe të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Paga mesatare në Telekom duhet të jetë 602 euro, aktualisht është 902 paga mesatare. Kurse para uljes së pagës në fazën e parë, paga ka qenë 1,200 euro”, thekson Krasniqi. (Tekstin e plotë mund ta lexoni ne rel)