Paralajmëron Ahmeti: Të reshurat mund të na shkaktojnë dëme

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se sipas të dhënave të Institutit Meteorologjik, sot në regjionin e Prishtinës do të ketë vërshime

Ahmeti ka shkruar në Facebook se të reshurat janë të mirëseardhura, por mund të shkaktojnë dëme materiale.

“Sipas të dhënave të Institutit Meteorologjik dhe duke u bazuar në situatën në shtetet fqinje ju informojmë se sot në regjionin e Prishtinës do të ketë vërshime. Për shkak të situatës në liqene, të reshurat janë të mirëseardhura por në kohë të shkurtë mund të na shkaktojnë dëme materiale”, ka shkruar Ahmeti.

I pari i Prishtinës ka treguar se në cilin numër mund të lajmërohen qytetarët për çfarëdo urgjence rreth vërshimeve.

“Për çfarëdo urgjence lajmëroni në 080012233!”, ka shkruar Ahmeti.

https://www.facebook.com/shpend.ahmeti/posts/10159989671017166

Ndërkohë, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ka paralajmëruar për mundësinë e vërshimeve të shpejta në zonën e Prishtinës me rrethinë dhe në pjesën veriore dhe lindore të Kosovës.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar që të ketë vërshime qysh sot nga ora 12:00.

“Reshjet të cilat kanë filluar me intensitet më të lartë gjatë orëve të mëngjesit të datës 23/06/2020, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës me intensitet të ndryshuar, të cilat në disa zona do të paraqesin mundësi për paraqitje të vërshimeve të shpejta, siç janë rrjedha e sipërme e lumit Llap, zona e Prishtinës me rrethinë dhe pjesa veriore dhe lindore e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme