Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar në pikën kufitare në Han të Elezit.
Sipas njoftimit, operacioni është realizuar sot rreth orës 16:10, pas pranimit të informacioneve inteligjente.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, ka realizuar me sukses një operacion në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit, duke parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë ndaluar për kontroll një autobus të linjës Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë me inicialet M.L.
“Sot, rreth orës 16:10, mbi bazën e informacioneve inteligjente, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë (M.L.)”, bëhet e ditur në njoftim.
Gjatë kontrollit janë zbuluar stoli ari të fshehura si tek një pasagjere, ashtu edhe tek shoferi i autobusit.
“Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari”, thuhet më tej.
Sipas autoriteteve, pesha totale e arit të sekuestruar arrin në 129.76 gramë.
“Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. I njëjti nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera do të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftim.