Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë pesë ditëve do të mbajë mot kryesisht me diell por i freskët.
Dita e hënë mbetet nën dominimin e masave të ngrohta të ajrit të cilat ishin prezent gjatë gjithë muajit , por nga dita e martë masat e freskëta të ajrit me origjinë nga veriu do të ndikojnë dukshëm në prishjen e këtij ekuilibri termik, duke bërë që merkuri në termometër të zbresë deri në 2 gradë Celsius, derisa në viset malore me lartësi mbidetare mbi 900m parashihet të ketë brymë si pasojë e rënies së temperaturave deri në zero gradë Celsius.
24.09 – Paradite mot kryesisht me diell. Gjatë ditës me kalimin e frontit, vranësirat do të shtohen dhe do të fryjë erë e fuqishme verilindore. Vende-vende priten reshje të dobëta shiu. Në mbrëmje ftohtë.
25.09 – Mot i ftohtë, pjesërisht i vranët. Në mbrëmje edhe më ftohtë.
26.09-27.09 – Mot i ftohtë, kryesisht me diell. Në mëngjes vende-vende mundësi edhe për ngrica.
28.09 – Mot i mirë, kryesisht me diell.
Temperaturat e ajrit, do të pësojnë rënie të ndjeshme nën vlera mesatare.
Minimalet do të zbresin nga 12C, të hënën, në 0C deri +1C nga mesi i javës, ndërsa maksimalet nga 25C deri në 15C.
Sipas Prishtina Weather, era do të fryjë mesatare dhe fuqishme nga verilindja 5-15m/s. Shtypja atmosferike do të rritet lartë mbi vlera normale.