Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kohë që po paralajmëron se ky vit do të jetë i vështirë për të dhe Serbinë. Si për t’ia demonstruar këtë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, fundjavën që shkoi ia dërgoi një letër, me të cilën i kërkoi që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Vuçiq tashmë e ka të qartë se nuk ka marrëveshje përfundimtare me Kosovën, të cilën do ta mbështeste SHBA-ja, në rast se në të nuk do të përfshihet marrëveshja për njohjen reciproke. Duke qenë kështu, një ditë pasi e mori këtë letër, dje, ai vlerësoi angazhimin e përfaqësuesit të BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, i cili tha sot se nuk pret që marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrihet shpejt.
BE-ja s’e kushtëzon marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke
Megjithëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i bëri thirrje Serbisë për njohje të ndërsjellë me Kosovën, Bashkimi Evropian beson se vetëm Prishtina dhe Beogradi mund ta arrijnë kompromisin e nevojshëm.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa nuk ka përmendur njohjen reciproke.
Stano refuzoi ta komentojë drejtpërdrejt letrën që Biden ia dërgoi Vuçiqit, në të cilën ai theksoi se njohja e ndërsjellë është e vetmja mundësi e përmbylljes së dialogut.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ndihmon BE-në. Dialogu e çon Serbinë dhe Kosovën drejt të ardhmes evropiane. Në fund, Beogradi dhe Prishtina do ta gjejnë kompromisin e nevojshëm. Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka thënë sot përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti të dielën në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.
Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën që Biden ia dërgoi presidentit serb.
Zhgënjim dhe frikë në Serbi
Jo shumë vonë pas lajmit, Vuçiq doli i mllefosur para gazetarëve, duke folur për letrën. “Kam marrë urimet e Presidentit Biden, faleminderit për urimet”, ishte fjalia me të cilën Vuçiq nisi të fliste për këtë, e përmes së cilës vërehej se s’ishte aspak i kënaqur. Në fakt, ishte dhe dukej tepër i mllefosur.
Fotografi nga paraqitja e Vuçiqit para gazetarëve në Serbi, të dielën
“Për sa i përket njohjes reciproke, ajo nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore, as në BE, as në ndonjë rezolutë. Ka pasur përpjekje për ta imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar, si një zgjidhje përfundimtare, dhe unë tashmë u kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen reciproke”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur letrës së Joe Biden.
I vetëdijshëm se njerëzit prisnin që për këtë të fliste më shumë sesa për çdo gjë tjetër, edhe sesa për vizitën që ia bëri ushtrisë serbe, Vuçiq tha se është “i vogël për të qenë në gjendje të kundërshtojë të gjithë”, por tha se s’lejon “poshtërimin dhe shkatërrimin e popullit tim”. Ai theksoi se ideja e njohjes së ndërsjellë është “krejtësisht amerikane”, dhe tha se SHBA-ja do që ta poshtërojë Serbinë.
“Tani është e qartë se është një ide krejtësisht amerikane, se ata nuk dëshironin bisedime për dy Gjermanitë dhe zgjidhje të tjera, por është e qartë se ata duan poshtërim të plotë të Serbisë, dhe unë ua thashë gjithçka që mund të them në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë për atë lloj poshtërimi. Ai nuk pret që të thuhet kjo, por unë do ta përsëris atë në çdo vend”, tha Vuçiq.
Urimi i pazakontë i presidentit të SHBA-së, Joseph Biden për Vuçiqin nuk mund të interpretohet si një urim edhe fort diplomatik, vlerësoi ish-diplomati serb, Vladislav Jovanoviq.
“Urimet diplomatike pothuajse kurrë nuk janë të ngarkuara me një detyrë të veçantë, më e vështira e mundshme në marrëdhëniet e ndërsjella midis Serbisë dhe Amerikës. Duke kërkuar që Serbia t’i përkushtohet vetes në periudhën e ardhshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në një mënyrë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore dhe Kushtetutën, është diçka që nuk është e zakonshme dhe nuk është mirë ta gjesh atë në ndonjë libër shkollor diplomatik si një shembull i një urimi për festat e një vendi”, u shpreh Jovanoviq.
Vladislav Jovanoviq
Sipas tij, gjithçka që thuhet në kartolinë është një tregues i qartë se Biden nuk ka ndryshuar shumë që nga lëshimi nga “lëkura e tij të hershme”.
“Përkundrazi, kjo tregon se ai beson se presioni i drejtpërdrejtë dhe i fundit mbi Serbinë mund të arrijë qëllimin maksimal për Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët e Kosovës – njohjen e pavarësisë së Kosovës”, përfundoi ish-diplomati serb.
Në anën tjetër, në Kosovë pati gëzim. Ndër të parët që e shprehu këtë ishte kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Ai e falenderoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ndërsa tha se “Kur i ke miqtë e fortë… vera te dera”. “Ju kam paralajmëruar”, shtoi Hoti. /Express