Ligjvënësit grekë pritet të votojnë sot një marrëveshje historike për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe për t’i dhënë fund kontestit të gjatë diplomatik me fqinjin.
Qeveria e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, dhe ajo e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, kanë arritur marrëveshjen në qershor të vitit të kaluar për ndryshimin e emrit të ish-republikës jugosllave në Maqedoni të Veriut.
Me këtë marrëveshje, Greqia nuk do t’i kundërshtojë synimet e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.
Greqia e ka kundërshtuar emrin Maqedoni me vite, duke thënë se me të, fqinji i saj mund të ketë pretendime territoriale ndaj një territori grek me të njëjtin emër.
Debati në Parlamentin grek ka nisur të mërkurën dhe pritet të përfundojë me votimin e traktatit të njohur si Marrëveshja e Prespës.
Kundërshtarët e marrëveshjes, që nuk e duan fjalën Maqedoni në emrin e fqinjit, pritet të protestojnë jashtë Parlamentit në Athinë.
Parlamenti i Maqedonisë i ka miratuar dhjetë ditë më parë ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit.