Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar sërish disa ligje që u kthyen për rishqyrtim nga presidenti, Millo Gjukanoviq.
Në seancën e thirrur nga kabineti qeveritar, nuk morën pjesë deputetët opozitarë.
Deputetët e pranishëm i miratuan pa debat, ndryshimet në Ligjin për liritë fetare, pastaj ligjet për: nëpunësit civilë, kujdesin shëndetësor; punën dhe akte të tjera.
Të gjitha këto ligje ishin miratuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar, por presidenti i Malit të Zi i ktheu ato në parlament më 2 janar.
Gjukanoviq refuzoi t’i dekretojë këto ligje, me arsyetimin se në seancën e dhjetorit, nuk kishte kuorum, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren e Punës të Parlamentit të Malit të Zi.
Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.
Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit – tha se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.
Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për liritë fetare më 29 dhjetor 2020. Ndryshimet e miratuara fshin nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për liritë fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.
Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj.
Kisha Ortodokse Serbe dhe mbështetësit e saj si dhe partitë pro-serbe, pretendonin se ky ligj i lejonte Qeverisë malazeze t’i marrë pronat e kishës, edhe pse zyrtarët mohonin se synojnë të bëjnë një gjë të tillë.
Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë pjesë e një federate deri më 2006, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë.
Mali i Zi është pjesë e NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, presidenti ka të drejtë të mos nënshkruajë ligjet e miratuara, dhe t’i kthejë ato në Parlament për rishqyrtim. Por, pas miratimit të dytë të të njëjtave ligje në Kuvend, presidenti është i detyruar që t’i nënshkruajë ato.