Tetë trofe janë të renditur në muzeun në stadiumin e Parmas “Ennio Tardini”. Secili prej tyre shkëlqen më tepër se tjetri. Trofetë janë në pjesën qendrore të muzeut, ndërsa aty janë të shfaqura fotografi të lavdisë së kaluar, portrete të lojtarëve të mëdhenj, fanellat ikonike. Te ata tetë trofe çon gjithë historia e Parmas.
Por, për një kohë, ai vend ishte thuajse i zbrazët dhe dritat u ndalën. Në momentet më të errëta të Parmas, kur klubi falimentoi, ata trofe ishin dëshmi se sa shumë ka rënë klubi, që dikur ishte fuqi në Itali dhe në Evropë, shkruan NYT, transmeton “Koha Ditore”.
Tash çdo gjë është aty ku duhet të ishte. Trofetë janë kthyer në vendin e krenarisë. Dhe Parma, apo së paku pasardhësja e saj shpirtërore, është duke u përgatitur sërish për jetën në Serie A të Italisë në futboll.
“Kur shikon të gjitha këto, aty duhet të gjendet ky klub”, ka thënë Angelo Manfredini, president i Parma Clubs, një organizatë ombrellë për tifo grupet e skuadrës, ndërsa ec nëpër muze.
Por shumë pak veta kanë pritur që klubi të kthehet në Serie A aq shpejt. Disa madje kishin dyshime nëse klubi ndonjëherë do të kthehet në elitën e Italisë. Tre vjet më parë, skuadra e Parmës ndali së ekzistuari dhe shpalli falimentimin.
Një organizim pasardhës – legalisht ishte një etni e ndarë – u themelua dhe u detyrua të fillonte në Serie D, që është rangu i katërt i futbollit italian dhe është amator.
Ishte një rënie befasuese madje edhe për standardet e Italisë, ku çdo vit klubet rrezikojnë dhe jo rrallë falimentojnë.
Në vitet 1990-ta, Parma ishte një klub me plot pasuri dhe luks, një skuadër provinciale e kthyer në një prej klubeve më të mëdha në botë nga biznesmeni Calisto Tanzi dhe perandoria e tij e bulmetit Parmalat. Parma ishte një nga skuadrat më të forta në Serie A, kur ajo ishte liga më e mirë në botë. Dy herë Parma fitoi Kupën UEFA, garën paraardhëse të Ligës së Evropës sot.