Partia e Dodikut pëson humbje në Banja Llukë

Prishtinë | 16 Nën 2020 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i partisë SNSD-së, Millorad Dodik pranoi humbjen në Banja Llukë – qendra administrative e Republikës Serbe të Bosnjës, raporton REL.

“Banja Lluka zgjodhi në mënyrë demokratike dhe ne e respektojmë atë zgjedhje. Qytetarët e Banja Llukës kanë vendosur”, tha Dodik.

Në qytetin e Banja Llukës, fitoi kandidati i opozitës, Drashko Stanivukoviq, nga Partia e Përparimit Demokratik (PDP). Ai deklaroi në konferencën për shtyp se Banja Lluka do të jetë qyteti i të gjithë qytetarëve.

“Kjo është dita më e lumtur në historinë moderne të qytetit tonë”, vuri në dukje Stanivukoviq në fjalimin e tij nga selia kryesore zgjedhore e partisë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gati 54 për qind e rreth 3.3 milion votuesve të regjistruar dolën të votojnë për kryetarët dhe këshillat e bashkive në dy rajonet autonome të Bosnjës – Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Serbe – si dhe në Qarkun e Bërçkos.

Zgjedhjet u planifikuan fillimisht për 4 tetor, por vonesa e qeverisë në miratimin e një buxheti kombëtar, duke përfshirë financimin për zgjedhjet, çoi në shtyrjen e tyre.

Partitë nacionaliste boshnjake, serbe dhe kroate kanë mbajtur pushtetin për pjesën më të madhe të periudhës që nga fundi i luftës në Bosnje 1992-1995.

Të ngjashme