Drejtuesit e Partisë Social-Demokrate (PSD) janë mbledhur sot në lagjen Arbëria të Prishtinës për të përuruar zyrat e reja të partisë, raporton Ekonomia Online.
Megjithëse Albin Kurti i Vetëvendosjes ka parashikuar që ish-kolegët e tij nuk do të mund të marrin më shumë se 2 për qind në zgjedhjet e ardhshme, kështu duket se nuk mendojnë Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Aida Dërguti e shokët e tyre.
Ata kanë marrë zyra të mëdha në lagjen Arbëria, afër ndërtesës së re të Komunës, të cilën e udhëheq Ahmeti.
Zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti, nuk ishte i gatshëm të jepte detaje sa metra katrorë janë zyrat e reja në kompleksin e “Tregtisë”. Por nga një vrojtim nga jashtë shihet se janë disa hapësira të ndara, përfshirë një sallë më e madhe, e cila tashmë është pajisur me një tavolinë ovale pune.
Ndërkohë, zyra e cila mban numrin 83, në rrugën “Radovan Zogoviq”, ende nuk ka ndonjë logo të PSD-së.
Sikur shihet në fotografitë dërguar Ekonomia Online, pjesë “e inspektimit të shtëpisë së re” ishin kryetari Ahmeti, nënkryetari Ymeri, anëtarët e Kryesisë, Aida Dërguti e Dardan Molliqaj; ish-kryetarja “historike” e PSD-së, Kaçusha Jashari, e cila është përfshirë në Kryesinë e re, e zyrtarë të tjerë.
Ahmeti, i cili sa ishte pjesë e Vetëvendosjes zakonisht udhëtonte me vetura modeste, kësaj here është larguar me një veturë fuoristradë.