Partia Ekologjike e Kosovës, thotë se po i ndjek me shumë shqetësime zhvillimet e fundit në Kosovë. Kjo parti vlerëson se Serbia është duke e provokuar në vazhdimësi Kosovën dhe ato nuk janë vetëm veprime të dëmshme por janë edhe kërcënime serioze për paqe në Kosovë dhe në rajon.
Kjo është komunikata e plotë e Partisë Ekologjike të Kosovës:
Zhvillimet e fundit në Kosovë, treni ilegal serb me simbole nacionaliste, provokimet dhe deklaratat luftënxitëse të liderëve politik serb, arrestimi i Ramush Haradinaj dy javë më parë në Francë, muri i ngritur në Mitrovicë të veriut, në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe provokimet tjera serbe, Partia Ekologjike e Kosovës po i ndjek me shumë shqetësime. Serbia është duke e provokuar në vazhdimësi Kosovën dhe ato nuk janë vetëm veprime të dëmshme por janë edhe kërcënime serioze për paqe në Kosovë dhe në rajon.
Pavarësisht nga marrëveshjet e nënshkruar me Prishtinën, Beogradi në mënyrë më intensive po vazhdon me fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës, e cila është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Brukseli . Këtë e dëshmoi edhe Deklarata e fundit e presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq i cili haptazi kërcënoi se në Kosovë do të dërgoj ushtrinë dhe do të vijë të luftojë me dy djemtë e tij. Njësoj janë edhe deklaratat e udhëheqësve të tjerë më të lartë serb të cilët pohojnë se në të ardhmen nuk mund të përjashtohen incidentet dhe se në Kosovë ekziston rreziku potencial për kryerjen e aktiviteteve terroriste. Këto na përkujtojnë retorikën nacionaliste shoviniste të viteve të 90-ta të cilat i kemi dëgjuar në variante të ndryshme që paraqitnin hurje për krime tragjike me ç’rast qindra mija njerëz humbën jetën.
Politika aktuale Serbe ka marrë kaheje të rrugës së rrezikshme duke provokuar. Andaj, Partia Ekologjike e Kosovës nuk dëshiron luftë, por prej institucioneve të Kosovës dhe liderëve të tyre kërkon maturi, reagime politike e diplomatike adekuate si dhe reagim të shpejtë. Bashkimit Evropian duhet të kërkoi përgjegjësi më të madhe nga Beogradi dhe fuqishëm të kushtëzoi Serbinë të heq dorë nga përpjekjet për destabilizim të Kosovës, të mënjanojë të gjitha pengesat për zgjedhjen e problemeve në mënyrë paqësore dhe me dialog.