Mos reagimi adekuat nga organet kompetente, rritja e nevojës për zhvillim ekonomik përmes prodhimit të energjisë e sektorëve të tjerë, mos respektimi i ligjeve e të tjerë, janë vetëm disa nga arsyet se pse ende në Kosovë ndotja e mjedisit është ende problem shqetësues.
Kështu u tha në mbledhjen e mbajtur nga partia ekologjike, në të cilën pritet që gjatë ditës të zgjedhjet edhe kryesia e re.
Kryetari i Partisë Ekologjike, Arif Krasniqi tha se organizatat për mbrojtjen e mjedisit nuk mund të mbrojnë atë pa mbështetjen e institucioneve.
“Organizatat dhe lëvizjet mjedisore nuk mund të mbrojnë mjedisin ekologjik pa angazhimin e posaçëm të organeve ligjvënëse dhe ekzekutive( kuvendi, qeveria, ministritë) deri te organet operative (policia, inspeksioni, gjykatat) që secili nga kompetencat të ndërmerr masa dhe aktivitete e duhura”.
“Në 10 vitet e kaluara, kemi vërejtur se nevoja për zhvillim ekonomik si prodhimi i energjisë, zhvillimet në sektorin e bujqësisë, ndërtimtarisë, transportit pastaj kërkesat sociale dhe rritja e konsumit, ishin disa nga presionet që ndikonin dhe rrezikonin dukshëm ekuilibrin ekologjik , por edhe ndotja e ajrit, ujit dhe degradimi i tokës. Nga ana tjetër, mosreagimi adekuat i subjekteve politike, mosrespektimi i ligjeve dhe pasiviteti i qytetarëve për të mbrojtur pasuritë natyrore për të siguruar një ambient të pastër e kanë bërë Kosovën ndër vendet ku ekologjia dhe ndotja e mjedisit të paraqesin problem shqetësues”, tha Krasniqi.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje të Partisë Ekologjike ishin edhe përfaqësues nga vende të ndryshme të rajonit. Njëri prej tyre ishte edhe Sazan Guri, i cili tha se partitë që merren me mbrojtjen e mjedisit janë ambasadorët më të mirë të kombit shqiptar.
Ai më tutje shtoi se derisa të tjerët lodhen së punuari për vendin, partia ekologjike nuk e bën këtë sepse ajo kontributin për vendin e ka në ADN-në e saj.