Aleatët e Partisë Demokratike në Shqipëri kanë deklaruar të hënën se janë të gatshëm të negociojnë dhe kanë kërkuar nga Presidenti Meta inicimin e një tryeze politike për zgjidhjen e krizës.
Në platformën politike, me 12 pika, aleatët e PD kërkojnë ndryshim të Kodit Zgjedhor si edhe nisjen e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës për situatën në vend.
Në platformën politike, Nard Ndoka i PDK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Dashamir Shehi i LZHK-së, dhe Fatmir Mediu i PR-së, shohin si zgjidhje krijimin e një qeverie tranzitore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Duke konstatuar se në zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 janë regjistruar vetëm parti politike të mazhorancës, si dhe përpjekjet e Ramës për të organizuar zgjedhje farse, me qëllim që të krijojë idenë false se zgjedhjet do të jenë “konkurruese”, përballë Opozitës dhe qytetarëve nga ana tjetër, të vendosur për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farse, tentativën e qeverisë për një krim elektoral me pasoja shkatërruese për vendin, e cila do të çonte në një përplasje me pasoja për vendin dhe Unitetin e Popullit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të partive të vogla.
Një tjetër kërkesë e 5 partive aleate me PD, është reforma zgjedhore; votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.
Kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtarë tha se tashmë nuk ka më mundësi për tu future në zgjidhje, ndërsa garantoi se do aleatët do ti mbeten besnik kontratës me Partinë Demokratike.
“Ne duam së treti ngritjen e një qeverie tranzitore me qëllim realizimin e reformës zgjedhore dhe ato kushtet e tjera për një shtet normal demokratik”, tha Shehu.
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka tha se aleatët e Partisë Demokratike janë gati të ulen në tryezë për të negociuar me Ramë. “Ne jemi gati të ulemi me Ramën, si kryetarë i Partisë Socialiste për të ndërtuar një qeveri tranzitore me qëllim lejimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike”.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh se “ne pranojmë të ulemi në tryezë me Ramën si Kryetarë të PS, por jo si Kryeministër, pasi në këtë pikë, në gjykimin tonë Rama është kapur në shkelje”, tha Mediu, transmeton atsh. /EkonomiaOnline/