Partitë kanë afat edhe sot të aplikojnë për certifikim

Prishtinë | 22 Gus 2017 | 08:10 | Nga

Partitë politike kanë afat vetëm deri sonte në orën 24:00 që të regjistrohen në mënyrë që tu mundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Të gjitha subjektet, iniciativat apo edhe kandidatët e pavarur duhet të dërgojnë listën me emra në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili më pas do të bëj verifikimin e tyre.

Deri dje në orën 11 për certifikim për zgjedhjet lokale kanë aplikuar 17 subjekte politike. Prej tyre 5 janë Iniciativa Qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur për kryetar komune dhe 7 kandidatë të pavarur për Kuvende Komunale.

Por që tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet e 22 tetorit, duhet paguar edhe gjobat që partitë i kanë në PZAP për shkeljet që i kanë bërë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura më 11 qershor.

Ditë më parë nga PZAP kishin bërë të ditur se Lista Serbe ka paguar të gjitha borxhet, kurse një pjesë të obligimeve i ka kryer edhe koalicioni PAN.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, dhe LDK-ja kanë zyrtarizuar shumicën e emrave që do të jenë kandidat për kryetarë të komunave.

Njëjtë nuk ka ndodhur edhe me PDK-në e cila deri tash ka zyrtarizuar vetëm emrin e Zenun Pajazitit për kryetar të Gjilanit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme