Prezencë në sallë dhe votë pro shpërndarjes së Kuvendit kanë paralajmëruar të gjitha subjektet shqiptare, në seancën e së enjtes.
Para shpërndarjes, partitë janë dakorduar që ta votojnë marrëveshjen për fondet e Bashkimit Evropian- IPA, vlera e të cilave është rreth 100 milionë euro.
Megjithëse nevojiten vetëm 40 nënshkrime për seanca të jashtëzakonshme, për këtë janë mbi 80 nënshkrime të deponuara nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate dhe Nisma, shkruan Koha Ditore.
Sipas Rregullores së Kuvendit, për të qenë i suksesshëm votimi nevojiten së paku 80 vota pro. Do të mjaftonte votimi pro vetëm i deputetëve nënshkrues, në mënyrë që Kuvendi të shpërndahet.
Institucioni ligjvënës e thirri seancën pasi presidentit Thaçi në konsultat me koalicionin PAN nuk iu ofrua një mandatar tjetër, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt. Legjislatura e gjashtë me radhë ka zgjedhur t’i japë fund mandatit në kohën kur ndërkombëtarët kanë rikthyer kërkesën për rinisjen e dialogut me Serbinë.
Mbështetur në deklaratat e partive politike, të gjitha kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë dhe votën pro shpërndarjes.