Vetëm Lista Serbe i ka paguar gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kjo parti ishte gjobitur me 25 600 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore. Përderisa koalicioni PAN prej 158 mijë eurove sa është gjobitur ka paguar 12 217 euro.
Kështu ka bërë të ditur Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, në një intervistë për Ekonomia Online. Ai ka konfirmuar se nga 348 mijë euro sa janë gjobitur, partitë politike kanë paguar deri më tani vetëm 47 817 euro.
Desku ka sqaruar se partitë politike duhet t’i paguajnë borxhet deri më 22 gusht, për shkak se nuk mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
“Deri më tani, Lista Serbe i ka përmbushur të gjitha obligimet. Edhe koalicioni PAN ka paguar një shumë të caktuar prej 12 217 euro, ndërsa subjektet e tjera nuk kanë paguar. Prej gjithsej 348 900 euro sa kanë qenë gjoba të shqiptuara nga ana e PZAP-it ndaj subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit janë paguar 47 817 euro deri më tani; ndërsa kanë mbetur pa paguar janë 301 083 euro. Kjo është gjendja deri më tani”, tha Desku.
Në fakt, subjektet politike është dashur që dënimet t’i paguajnë brenda 15 ditësh. “Mirëpo duke pasur parasysh se tani jemi në prag të zgjedhjeve lokale, subjektet politike po qe se dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, janë të obliguara që t’i shlyejnë këto borxhe deri më 22 gusht. Ne po presim deri në këtë afat që këto subjekte të bëjnë pagesën, në të kundërtën ndaj të gjitha atyre subjekteve politike që janë të gjobitura do t’i procedojmë nëpërmes përmbaruesit privat për t’i arkëtuar këto gjoba”.
Kryesuesi i Sekretariatit në PZAP thekson se subjektet politike janë të informuara për mënyrën e pagesave dhe se asnjë subjekt politik nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet e 22 tetorit pa u paguar i gjithë borxhi.
“Të gjithë pjesëmarrësit apo subjektet që janë pjesë e koalicionit, të gjithë duhet t’i paguajnë gjobat. Përndryshe nuk mund të certifikohen. Do të thotë, asnjëri subjekt, edhe nëse dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje si subjekt i veçantë, nuk mund ta bëjë pa u paguar i gjithë borxhi. Në këtë rast, koalicioni llogaritet si një subjekt”.
Koalicioni PAN është gjobitur me 158 mijë euro, LAA me 71 mijë e 700 euro, kurse Lëvizja Vetëvendosje me 66 mijë euro.