Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar në orët e vona të mbrëmjes mihjen sipërfaqësore në fshatin Shipitullë, nga ku KEK-u nisi nxjerrjen e thëngjillit, pas 14 muajsh.
Ekskavatorët e KEK-ut rinisin punën pas marrëveshjes që sot gjatë ditës Qeveria arriti me delegacionet e fshatrave Shipitullë dhe Hade. Një takim të gjatë, Haradinaj, i shoqëruar nga ministra të tij dhe menaxhmenti i KEK-ut, kishte pasur me banorët edhe një natë më parë.
“Pas një pune voluminoze kemi ardhur deri te zgjidhja e problemit dhe ekskavatori me fillu punën. Na ka mbetur edhe pak kohë për shkak se po hyjmë në lagështi dhe vështirësohet puna, por besoj që jemi në kohë që mos me u ndalë prodhimi i energjisë”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
“Nga ndalja e prodhimit të energjisë, Kosova do të kishte humbur rreth 500 mijë euro në ditë. Kemi qenë afër një situate që kish me na kushtu shumë. Edhe ashtu na ka kushtuar shumë mospuna, sepse na është thënë që ekskavatori qe 14 muaj nuk ka punuar fare. Janë pesë ekskavatorë dhe nëse nuk kanë punuar humbjet e përafërta kanë qenë 35 mijë euro në ditë”, shtoi shefi i Qeverisë së re.
Por, Haradinaj u shpreh i bindur se furnizimi me energji elektrike do të jetë “në nivel” për këtë dimër.
Ai ka shpjeguar se me banorët janë marrë vesh për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre rreth shpronësimit sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade.
Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit.
“Pra është gjetur një zgjidhje që mendoj se është, jo vetëm e dinjitetshme për banorët, por në njëfarë mënyre tregon edhe për kujdesin e shtetit të Kosovës për këta banorë“.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka falënderuar kryeministrin për angazhimin e pandërprerë në adresimin e kësaj çështjeje. “Me kënaqësi mund të ju përgjigjem se puna dhe ristartimi i ekskavatorëve sot nënkupton një siguri të furnizimit”, tha Gjukaj, për gazetarët.
“Shpesh ne e kemi quajtur jo vetëm siguri të furnizimit, por edhe siguri kombëtare të vendit, siguri për ekonominë për bizneset. Falë kësaj marrëveshjeje, mund të themi se e kemi evituar një gjendje katastrofike për banorët dhe për gjithë vendin”, deklaroi Gjukaj.