Pas abortit, sa kohë duhet për një shtatzëni tjetër?

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 11:26 | Nga

Pas një aborti të hershëm, çiftet që provojnë shtatzëni të sërishme brenda tre muajve kanë më tepër gjasa të jenë të suksesshëm në raport me çiftet që presin më gjatë.

Studimi ka përfshirë 1,000 çifte pas një aborti të hershëm dhe ka zbuluar se femrat që kanë tentuar shtatzëni brenda 3 muajve, kanë 71% më tepër gjasa përkundër femrave që kanë pritur më gjatë.

Nga 765 çifte që kanë tentuar shtatzëni brenda 3 muajve, 77% kanë arritur të sjellin në jetë një foshnjë, krahasuar me 23% të 233 çifteve që kanë pritur më shumë se 3 muaj.

Studimi nuk tregoi se tentimi për të ngelur shtatzënë menjëherë pas abortit do të ndihmojë që shtatzënia e ardhshme të ndodhë më herët dhe të rezultojë me foshnje pas 9 muajve, mirëpo studimi sugjeron se femrat që kanë pasur abort pa komplikime mund të provojnë brenda tre muajve pas abortit.

Femrat e përfshira në studim kanë qenë mesatarisht të moshës 29 ndërsa partnerët e tyre të moshës 30, shumica ishin të rracës së bardhë, të martuar dhe me nivel arsimimi minimum deri në shkollë të mesme.
Gjysma e femrave e kanë humbur foshnjën mes javës 8 dhe 13 të shtatzënisë ndërsa 44% kanë përjetuar humbjen para javës së tetë. Këto humbje kategorizohen të trimestrit të parë, kohë në të cilën ndodhin shumica e aborteve.

Brenda gjashtë cikleve menstruale, 644 çifte kanë ngelur shtatzënë përsëri, nga të cilët, 491 kanë lindur…shumica kanë lindur normalisht, 22 kanë lindur më herët.

Një numër i studimeve të mëhershme ka gjetur lidhshmëri mes intervaleve të shkurta mes shtatzënive me rritjen e rrezikut nga komplikime sikurse presioni i lartë i gjakut, thyerja e hershme e membranave, peshë e ulët e foshnjës si dhe lindje e parakohshme.

Edhe pse femrat mund të ngelen shtatzëne pas abortit, ato duhet t`i kenë parasysh këto probleme para se të vendosin për një veprim të tillë.

Gjithashtu duhet të konsiderohet edhe shëndeti psikik pasi që pas abortit femrat janë emocionalisht të dobëta dhe nuk do të munden të përballojnë edhe një sfidë të ngjashme, andaj u duhet përkrahja e partnerit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme