Një aksident në aksin Pogradec-Korçë për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi të vërtetë.
Pas një aksidenti pa pasoja, njëri nga personat e përfshirë në aksident ka nxjerrë thikën dhe ka tentuar të vrasë shoferin e mjetit tjetër.
Policia bën me dije se është vënë në pranga autori i dyshuar Marjo Xhangolli, 24 vjeç, banues në Pogradec.
Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 10.07.2017, në rrugën nacionale Pogradec-Korçë, në afërsi të fshatit Gështenjas, ky shtetas për motive të dobëta, ka goditur në pjesën e krahut me thikë, duke tentuar të vrasë 28-vjeçarin me inicialet F. M., banues në Korçë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi shtetasit e mësipërm, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, si pasojë e përplasjes me dëme materiale, të dy automjeteve konkretisht njëri me drejtues të riun nga Korça me inicialet F. M., dhe tjetri me drejtues babin e Marjo Xhangollit, në rrugën nacionale Pogradec-Korçë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet i mprehtë (thikë).
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Pogradecit, për akuzën e “Vrasjes me dashje, mbetur në tentativë”.