Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, dënohet me një vit burgim me kusht i akuzuari për falsifikim të votave

Prishtinë | 20 Nën 2023 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me një vit burgim me kusht Dardan Gashi, i cili akuzohej për falsifikim të rezultateve të votimit

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me një vit burgim me kusht Dardan Gashi, i cili akuzohej për falsifikim të rezultateve të votimit.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Bashkë me të, në këtë rast po akuzohen edhe ish-deputeti Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Dardan Gashi.

“I akuzuari Dardan Gashi shpallet fajtor për veprën penale me të cilën akuzohet si në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe i njëjti me 12 muaj burg i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda afatit kohorë prej 12 muajsh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Për pikën dy të veprës penale si në aktakuzë gjithashtu i shqiptohet dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimet publike për periudhën kohore prej 12 muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, tha gjykatësi Ismajli.

Po ashtu Gashi u obligua të paguaj shpenzimet e procedurës në emër të paushallit gjyqësorë prej 50 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave shumën prej 50 euro.

Paraprakisht u mbajt seancë dëgjimore në të cilën u elabrouar lidhja e marrëveshjes për pranim të fajësisë ku prokurori special Ilir Morina tha se marrëveshje është e përpiluar brenda për brenda kuadratit ligjorë.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Gashi, avokatja Sahadete Gashi tha se marrëveshja është lidhur me vullnetin e të akuzuarit, duke ju bërë të ditur pasojat dhe benifitet për pranimin e fajësisë.

Ndryshe, në seancën e 13 nëntorit 2023 gjykata kishte veçuar procedurën penale ndaj Halilajt dhe Dardan Gashit, pasi që të dy kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, po vazhdon procesi gjyqësor.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.

Të ngjashme