Rënia e vlerës së mjeteve të investuara nga Trusti ka bërë që opozita në Kosovë t’i kthehet temës së tërheqjes së mjeteve nga kontributpaguesit, e që u refuzua nga pushteti. Deputetë të Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike, duke përmendur humbjet e sivjetme, kanë kritikuar pushtetin për refuzimin që i bëri në janar ligjit për tërheqjen e mjeteve nga trusti për qytetarët kontributpagues.
“Humbjet në Trust gjatë këtij muaji, janë rreth 60 milion euro! Situata në Trust është alarmante! Gjatë vitit 2022, të gjithë kontribuuesit e vendit kanë humbur hiq më pak se 118 milion euro mjete të tyre në Trust. Trendi i rënies së aksioneve është në situatë shqetësuese edhe këtë vit. Vetëm gjatë këtij muaji që jemi tani, konkretisht nga data 1 mars deri më sot, në Trust kemi humbur rreth 60 milion euro!”, ka shkruar në Facebook deputeti i PDK-së, Ferat Shala, që ka akuzuar pushtetin edhe se përse nuk po cakton bordin menaxhues të Trustit. “Përkundër kësaj situate, Qeveria ende nuk e ka vendosur bordin menaxhues. Rreth 3 miliard euro të Trustit janë në mëshirën e rrethanave dhe kohës, nën mëshirën e tregjeve globale, praktikisht nën mëshirën e askujt!”, ka shkruar më tej ai të martën.
Shala ka kujtuar propozimin e PDK-së që një pjesë e mjeteve t’u kthehej qytetarëve për të tejkaluar krizën e inflacionit.
“Jo shumë larg nga tash, kur Partia Demokratike kërkonte që një pjesë e mjeteve t’iu kthehej qytetarëve, atyre që kishin kontribuar, Qeveria dhe mazhoranca me këmbëngulje refuzuan dhe votuan kundër, në emër të ruajtjes së skemave sociale për moshën e penzionimit. Koha po e vërteton kërkesën e drejtë e legjitime të qytetarëve për Trustin, sidomos sot kur humbjet janë në total rreth 200 milion euro. A ka Qeveri ky vend?!” ka vazhduar ai.
Një ditë më parë, kritika ndaj pushtetit për çështjen e Trustit, pati edhe ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Edhe ai akuzoi se mungesa e bordit ka bërë që “rreth 2.5 miliardë euro të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit”.
Pos akuzave për çështjen e bordit, edhe Hoti ka kujtuar refuzimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Si do të përgjigjet tani?!” ka pyetur ai pushtetin.
Në janar, deputetët e Kosovës i thanë jo një tërheqjeje të re nga Trusti, me 55 vota kundër dhe 42 pro, për iniciativën, që herën e fundit shkoi në Kuvend nëpërmjet një peticioni të 21 mijë qytetarëve. Me ndryshimet ligjore, propozohej që personat të cilët kanë deri në 10 mijë euro kursime, të tërheqin deri në 30 për qind të tyre. Ata që posedojnë 10 deri në 20 mijë, të tërhiqnin 25 për qind përderisa ata që kanë mbledhur mbi 30 mijë euro t’i tërheqin deri në 10 për qind. Një iniciativë e tillë pati dështuar edhe në qershor të vitit të shkuar. Më 2020, në Kosovë u mundësua për herë të parë tërheqja e 10 për qind të trustit.