Pas kontaktit me politikanin e infektuar, vajza e presidentit Trump punon nga shtëpia

Prishtinë | 14 Mar 2020 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Vajza e presidentit amerikan, Donald Trump, Ivanka, ka filluar të punojë nga shtëpia dhe e ka shmangur shkuarjen në Shtëpinë e Bardhë pas kontaktit me një politikan australian, i cili më vonë u diagnostikua me coronavirus.

Ministri australian i punëve të brendshme, Peter Dutton, i cili është infektuar me virusin Covid-19, ishte javën e kaluar në Uashginton dhe u takua me vajzën e presidentit Trump dhe prokurorin e përgjithshëm amerikan, William Barr.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë u munduan ta qetësojnë situatën, duke thënë se vendimi i zonjës Ivanka ka ardhur si rezultat i kujdesit të shtuar që ajo është duke e treguar, shkruan “The Guardian”.

“Është vlerësuar ekspozimi ndaj rastit dhe njësiti mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, në bashkëpunim me Qendrën për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka vlerësuar se Ivanka nuk ka shfaqur simptoma dhe se nuk ka nevojë që të vendoset në karantinë”, tha zyrtari për komunikim në Shtëpinë e Bardhë, Judd Deere.

Edhe zëdhënësja e prokurorit Barr tha se shefi i prokurorisë nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit. “Ai është duke qëndruar në shtëpi sot dhe është këshilluar nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Kjo qendër nuk ka rekomanduar që ai të testohet tash për tash”, tha zëdhënësja Kerri Kupec.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme