Presidenti rus, Vladimir Putin, po synon të forcojë lidhjet me partnerin e kamotshëm, Vietnamin, gjatë vizitës shtetërore që ka nisur më 20 qershor. Kjo vizitë zhvillohet në kohën kur Moska po përballet me izolim ndërkombëtar për shkak të veprimeve të saj ushtarake në Ukrainë.
Putin u prit me ceremoni shtetërore në këtë shtet në Azinë juglindore. Ai shkoi në Vietnam nga Koreja e Veriut, ku me liderin e këtij shteti, Kim Jong Un, nënshkroi një marrëveshje, sipas së cilës, Pheniani dhe Moska zotohen se do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të ndonjë lufte.
Putin arriti në Pallatin presidencial të Vietnamit më 20 qershor, ku u prit nga nxënës që mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe Vietnamit. Ai u takua me presidentin e ri të shtetit, To Lam, dhe gjatë vizitës do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste, Nguyen Phu Trong – politikani më i fuqishëm i Vietnamit – dhe zyrtarë të tjerë.
Rusia po synon të mbajë “bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv” në energji, industri, teknologji, arsim, siguri dhe tregti, tha të mërkurën ambasadori rus në Vietnam, Gennady S. Bezdetko.
Vizita e Putinit në Vietnam ka nxitur reagim të ashpër nga Ambasada amerikane në këtë shtet.
Shumë ka ndryshuar që nga vizita e fundit që Putin zhvilloi në Vietnam më 2017. Rusia tani përballet me sanksione nga Perëndimi, përfshirë nga SHBA-ja, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Më 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi një fletarrestim për Putinin në akuza për krime lufte. Kremlini mohon akuzat dhe ka theksuar se Moska nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate.
Hanoi dhe Moska kanë raporte diplomatike që nga viti 1950 dhe këtë vit shënohet 30-vjetori i traktatit për “raporte miqësore” mes Vietnamit dhe Rusisë.
Vietnami po ashtu ka qëndruar neutral sa i përket pushtimit rus të Ukrainës. Por, ky neutralitet ka qenë i vështirë për shtetin, teksa Ambasada e SHBA-së në Hanoi ka kritikuar vizitën e Putinit duke thënë se “asnjë shtet nuk duhet t’i japë Putinit platformë për të promovuar luftën e tij të agresionit dhe për të lejuar që të normalizojë mizoritë e tij”.
Nëse Putini lejohet të udhëtojë lirshëm “kjo mund të normalizojë shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar”, tha Ambasada amerikane.
Ndërkaq, raportet tregtare mes Rusisë dhe Vietnamit ishin në vlerë prej 3.6 miliardë dollarësh më 2023 dhe 171 miliardë dollarë me Kinën dhe 111 miliardë me Shtetet e Bashkuara.
Që nga viti 2000, Rusia ka rreth 80 për qind të importeve të armëve të Vietnamit. Viteve të fundit këto importe kanë rënë për shkak të përpjekjeve të Vietnamit për të diversifikuar furnizimet.