Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të kanosjes në fshatin Pojatë të Ferizajt, i cili dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje mes fqinjëve.
Rasti është raportuar më 6 shtator në Stacionin Policor në Ferizaj, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë në stacion për intervistim.
Sipas komunikatës së Policisë, gjatë hetimeve është siguruar informacion se një 46-vjeçar me inicialet B.A. posedonte armë zjarri.
“Me autorizim të prokurorit të shtetit, në shtëpinë e të dyshuarit në Pojatë janë sekuestruar: një pistoletë, dy karikatorë dhe 42 fishekë”, thuhet në komunikatë.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit, policia ka konstatuar se leja për armën kishte skaduar.
“Gjatë verifikimit është konstatuar se leja e armës kishte skaduar që në nëntor të vitit 2025”, njofton Policia.
Përveç rastit të kanosjes, ndaj të dyshuarit është iniciuar edhe rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Lidhur me këtë, me autorizim të prokurorit, është iniciuar rast edhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.