Pas Prishtinës dhe Mitrovicës edhe Peja ndalon qarkullimin e trotinetëve nëpër sheshet e qytetit

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Që nga muajin gusht i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për ndalimin e trotinetëve, biçikletave dhe të gjitha mjeteve me veprim motorik ose elektrik në sheshet e kryeqytetit. Po ashtu është ndaluar lëvizja edhe në vendet ku ka frekuentim të madh të këmbësorëve.

Vendim të njëjtë një muaj më vonë e kishte marrë edhe Komuna e Mitrovicës.

Ndërkaq së fundi edhe Komuna e Pejës ka ndaluar lëvizjen e trotinetëve elektrik në shesh.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se vendimi ka nisur të implemntohet gjatë ditës së hënë.

“Në hyrje të shëtitore janë vendosur shenjat e reja të komunikacionit që thonë: Ndalim i veturave, ndalim i motoçikletave, ndalim i trotineteve”.

Komuna e Pejës bën të ditur se shenjat do të vendosen edhe tek disa vende të tjera ku qarkullojnë këmbësorët.

Dejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo komunë nuk ka marrë ndonjë vendim për ndalimin e trotinetëve.

“Jo nuk kemi marr ndonjë vendim për ndalimin e trotineteve. Por me ligj të komunikacionit trotinetet nuk janë paraparë si mjet transportues. Pritet një amandament në Ligjin e Transportit Publik, nëse futet trotineti, atëherë ligji e rregullon këtë pjesë”, ka thënë Lamaj.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë përmes telefonit edhe nga Komunën e Gjakovës dhe Ferizajt, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur.

Të ngjashme