Marrëveshja për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, dje u ratifikua në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e njoftoi MPJ-në greke, e cila tani duhet të njoftojë Këshillin e Evropës se janë larguar të gjitha pengesat për integrimet e Maqedonisë.
Kuvendi dje miratoi propzim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë me 69 vota “pro”, ndërsa nuk morën pjesë deputetët e opozitës, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi pas ratifikimit të marrëveshjes të njëjtën e dërgoi tek kabineti i presidentit Gjorge Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditëve për ta nënshkruar.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se integrimi i Maqedonisë në NATO është vendosur në rend dite në samitin e 11 dhe 12 korrikut të kësaj organizate.
Sipas marrëveshjes, Greqia pas ratifikimit në Kuvendin e Maqedonisë ka detyrë ta njoftojë Këshillin e Evropës se nuk kanë mbetur pengesa për integrimet euroatlantike të Maqedonisë, ndërsa në qeverinë greke janë optimist për hapat e mëtejmë për zbatimin e marrëveshjes.