Pas shqetësimeve dhe reagimeve të shumta në opinion, Ministria e Drejtësisë, ka vendosur që të tërheq nenet e propozuara që cenonin lirinë e shprehjes dhe shkelnin parimet fundamentale të një shteti demokratik.
“Duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se me efekt të menjëhershëm tërheq nenet e propozuara 134/C (“fyerja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit”) dhe 134/D (“fyerja ndaj organeve kushtetuese”) nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë dëshiron të theksojë se i merr seriozisht shqetësimet e shoqërisë civile lidhur me çdo propozim që vjen nga Ministria e Drejtësisë dhe dëshiron të dëshmojë se është e gatshme të bëjë idetë dhe propozimet e shoqërisë civile pjesë të vendimeve të saj”.
“Ministria e Drejtësisë synon të vazhdojë dhe të thellojë bashkëpunimin me shoqërinë civile të Kosovës në të gjitha fushat që janë në përgjegjësinë e saj dhe do të sigurojë që shoqëria civile do të përfshihet në të gjitha proceset e politik-bërjes dhe hartimit të legjislacionit, duke përfshirë Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe tërë rishikimin funksional të sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë”.
“Jemi të bindur se vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë midis institucioneve publike dhe shoqërisë civile mund të realizohen veprime që janë në dobi të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, dhe Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.