Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën e miratoi propozimin qeveritar për një javë pushim nga puna në fillim të nëntorit pas rritjes alarmuese të rasteve e vdekjeve nga Covid-19.
Duke folur gjatë një takimi të transmetuar në televizion me zyrtarë qeveritarë, presidenti rus tha se kjo periudhë nga 30 tetori deri më 7 nëntor, mund të fillojë më herët ose mund të zgjatet për rajone të caktuara.
Autoritetet në mbarë Rusinë kanë filluar të marrin masa për ta luftuar përhapjen e virusit pas rritjes së numrit të rasteve dhe viktimave si dhe për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit.
Rusia të mërkurën shënoi rekord të ri të të vdekurve nga Covid-19 me 1.028 viktima të reja për 24 orë.
Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 34.073 raste të reja të infeksioneve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Rreth 45 milionë rusë ose 32 për qind e popullsisë janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19. Kjo shifër është shumë e ulët, nëse krahasohet me atë në shtetet e zhvilluara perëndimore.
Shumë rajone ruse tashmë e kanë kufizuar pjesëmarrjen në organizime të mëdha publike dhe vizitat në restorante, teatro e hapësira të tjera. Disa rajone madje e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për grupe të caktuara të shërbyesve civilë dhe personat mbi moshën 60-vjeçare.