Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se pas lirimit nga detyra të ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, i ka ofruar asaj postin e këshilltares politike.
“Kam konsideruar se njohuritë dhe përvoja e saj institucionale janë me rëndësi që të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkrtuar Haradinaj, në faqen e tij në Facebook duke e arsyetuar vendimin.
“Si kryeministër i Qeverisë, jam i bindur se kontributi i ish ministres, është më së i nevojshëm, andaj i kam ofruar asaj postin e këshilltares politike, ofertë kjo të cilën ministrja e ka pranuar”.
“Jam i bindur se vazhdimi i bashkëpunimit institucional me zonjën Reshitaj është në interes të qytetarëve dhe në funksion të implementimit të programit qeverisës”, ka shkruar Haradinaj, duke i uruar zonjës Reshitaj punë të mbarë.
Ministrja e deritanishme e Mjedisit, Albena Reshitaj, zyrtarisht dha dorëheqje javën e kaluar, sikur tha ajo, për shkaqe personale.
Por mediet raportuan se ajo u shkarkua nga partia e saj, Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, për shkak të pakënaqësive se po punësonte njerëz të Aleancës së Haradinajt në dikasterin që ajo udhëhiqte.
Si kandidatë për ta drejtuar MMPH-në, që sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje i takon AKR-së, po përmenden Myzejene Selmani dhe Fatmir Matoshi.