Pas shkarkimit nga Vetting-u, ish- gjyqtari shqiptar dënohet me 9 muaj burg

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Mesditën e sot me gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 muaj burg ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza për falsifikim të formularëve.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë u shpall fajtor, pasi fshehu në formularin e dekriminalizimit, një dënim për vjedhje që kishte marrë në Itali në vitin 1999.

Admir Thanza nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe lënien e tij për 18 muaj në shërbim prove.

Historiku

Thanza rezulton se është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë nga Gjykata e Pizas në Itali në vitin 1999 për një vjedhje në supermarket. Detaji i pazakontë u bë publik gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar javën e kaluar për llogari të procesit të Vettingut.

Vendimi i fajësisë, në të cilin vuajtja e burgut ishte pezulluar për gjyqtarin, u bë i ditur nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas KPK-së, gjyqtari Thanza kishte dijeni për këtë dënim të Gjykatës së Pizas, pasi kishte qenë në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së tij, por nuk e kishte deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.

Javën e kaluar, gjyqtari në seancën dëgjimore pranoi dënimin, por këmbënguli se nuk e kishte kryer veprën penale për të cilën ishte dënuar, por thjeshtë kishte marrë përsipër një krim të kryer nga një e afërme e tij. Sipas KPK-së, veç dënimit, Thanza nuk kishte deklaruar as një procedim penal të nisur ndaj tij për akuzën e “korrupsionit” nga Prokuroria e Shkodrës dhe të pushuar në Prokurorinë e Përgjithshme nga prokurori Kristaq Beluri në 26 Korrik 2016.

Thanza figuronte problematik edhe në pasurinë e tij. Sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë. I njëjtë ishte edhe rezultati i hetimit të thelluar të KPK që vlerësoi se ka mosjustifikim të shpenzimeve të kryera dhe nga analiza financiare gjatë gjithë karrierës në gjyqësor nga viti 1992 e në vijim Thanza del me bilanc negativ.

Po gjatë javës së kaluar, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje për rastin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimet ndaj gjyqtarit Admir Thanza për shkelje të ligjit dekriminalizimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme