Instituti i shëndetit publik në Gjermani ende shpreson se përhapja e koronavirsuit në vend mund të vihet nën kontroll, po qe se qytetarët u binden rregullave bazë të mbrojtjes, siç janë distanca sociale dhe mbajtja e maskave.
Instituti ka insistuar se njerëzit mund të marrin masa duke shmangur tubimet private. Të dhënat e fundit kanë treguar se përhapja e madhe e COVID-19 ka nisur shkaku i tubimeve të mëdha, si ahengjet, transmeton KOHA.
Pjesëmarrësit në këto ahengje pas kthimit në shtëpi kanë infektuar pothuajse të gjithë familjarët, kanë pretenduar zyrtarët e Institutit.
Në 24 orët e fundit në Gjermani janë konfirmuar 11 mijë e 300 raste të reja. Kjo është shifra më e lartë që prej fillimit të pandemisë, kur ngritja më e madhe brenda një dite kishte shkuar në 7 mijë e 600 raste të reja.
Deri më tani në Gjermani kanë vdekur 9 mijë e 900 persona. Instituti i shëndetit publik ka bërë të ditur se një milion teste po kryhen çdo ditë në Gjermani.
Para tri javësh, përqindja e rezultateve pozitive të këtyre testeve ishte nën 1, ndërkaq tani është 3 për qind.