Pas shumë problemeve, në vitin 2019 pritet që Suhareka të bëhet me shtëpi të kulturës

Prishtinë | 03 Qer 2018 | 08:15 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për problemet që po e përcjellin ndërtimin e shtëpisë së kulturës në këtë komunë.

Ai ka thënë se fillimisht ky ndërtim nuk ka pasur leje dhe se procedura ka nisur me probleme, ndërkaq përgjegjësia për ndarjen e buxhetit i takon Ministrisë së Kulturës.

“Nuk ka ndonjë datë se kur do të përfundojë pasi që kjo varet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Është një buxhet që ka kaluar në buxhetin 2016. Për 2017-ën ka qenë e paraparë, megjithëse ka pasur gabime të mëdha, tenderi është kryer në muajin shtator-tetor, kështu që punët kanë filluar në fushatë, mirëpo për fat të keq nuk ka pasur leje urbanistike. Nuk ka pasë pëlqim, atëherë ne jemi marrë me këto punë dhe kemi arritur të fillojmë para 10 dite”, tha ai.

Kryetari Muharremaj tregoi se pret që këtë vit të marrin një shtesë të buxhetit të Kosovës nga Ministria e Kulturës.

“Është duke u ndërtuar shtëpia e kulturës me shumë probleme. Për shkak të planit se nuk e kanë realizuar planin, për shkak se hapësira ka qenë më e vogël se objekti që e kanë paraparë. Mirëpo kemi ardhë në përfundim, kemi lëshuar planin urbanistik, kemi lëshuar lejen edhe e kemi lëshuar pëlqimin dhe besoj që kemi filluar punën dhe besoj që këtë vit presim edhe një shtesë të buxhetit të Kosovës Qeveria, nga Ministria e Kulturës dhe besoj që shumë shpejt shtëpia e kulturës ka me përfundu”.

Ai tha se edhe pse nuk dihet data e saktë, pritet që punimet të përfundojnë në vitin 2019.

“Kjo ka qenë e paraparë në buxhetin e vitit 2017, 2018-2019, po flas kur kam qenë si deputet. Ka qenë e paraparë për tri vite, mirëpo 2017 ka shku dhe 2018-2019 pres që vitin e ardhshëm të përfundojë komplet pallati i kulturës në Suharekë”, tha ai.

Ndërkaq lidhur me borxhet e qeverisjes së kaluar ai tha se po kryejnë detyrimet të cilat u janë lënë.

“Unë kam premtuar herën e parë se nuk do të flas për borxhe. Nuk është vlera e madhe, është diku 300 mijë euro, por çdo herë ka mundësi me pasë borxhe prej qeverisë në qeverisjen e ardhshme, kështu që kemi pasur borxhe për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit sepse nuk ka qenë e paraparë në buxhet, d.m.th. është bërë një gabim, një lëshim”.

Muharremaj tha se komuna do t’i përfundojë të gjitha obligimet e parapara me kontratë kolektive për mësuesit, arsimtarët dhe pensionistët, raporton EO.

“Pastaj e kemi një kontratë me një firmë austriake që obligon, por edhe ato do t’i kryejmë dhe disa borxhe që përmbaruesi ka filluar me i marrë paret, por besoj që me përmbaruesit e kemi kryer dhe këtë vit nuk ka mundësi me marrë pare për këtë qeverisje, për arsye se jemi dakorduar me personelin arsimor, d.m.th. nuk kanë nevojë të ankohen nëpër gjykata, përmes gjyqit, për arsye se ne do t’i kryejmë obligimet çka janë të parapara me kontratë kolektive për të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe personat që dalin në pension”, tha kryetari Muharremaj.

Të ngjashme