Kreu i qeverisë Rama është artikuluar për herë të parë në lidhje me një ndihmë financiare të dedikuar për ata shqiptarë që punojnë në të zezë dhe që deri më tani, janë lënë jashtë ndihmave që qeveria ka dhënë për koronavirusin. Duket se Rama ka ‘ndryshuar’ mendje pasi deri më dje, kreu i qeverisë i kërkonte atyre që punonin në të zezë që të denonconin pronarët për të përfituar nga paketa e ndihmës ekonomike.
Në një dalje për ERTV, Rama tha se qeveria po punon për një plan ndihme për këtë kategori, që sipas tij do të bëhet përmes ndihmës (pagesës) direkte.
Rama shtoi se brenda kësaj jave plani do të jetë gati dhe do të bëhet publik, teksa shtoi se flitet për rreth 70 mijë familje shqiptare që punojnë në të zezë.
Rama: Për pak ditë mbaron lëvrimi i pagës së parë, tani nuk ka më nevojë për verifikime dhe të tjerat do të jepen rrjedhshëm pa asnjë problem. Nesër fillon lëvrimi i bonusit prej 40 mijë lekësh, procedura është shumë e thjeshtë dhe deri në javën e parë të majit parashikojmë që paratë të jenë të derdhura në kontot e tyre.
Kam marrë shumë shpesh ankesa, shumë kënd që jeton në vështirësi dhe punon në të zezë nuk ka zgjidhje individuale, por duke analizuar se një pjesë e madhe e tyre që e ushtrojnë punën në të zezë, janë në një grup prej afro 70 mijë familjesh që nuk janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, por edhe pse kanë pasur një pikëzim më i lartë se atyre që kanë hyrë, si aplikues për ndihmë ekonomike konsiderohen familje që në këtë situatë kanë një hall më të madh dhe prandaj po punojmë për një bonus të veçantë që do të jetë në masën e një ndihme direkte, njëherë për periudhën e mëtejshme dhe si do të jetë, sa do të jetë dhe kur do të ndodhë, do ta kemi të qartë këtë javë.
Brenda kësaj jave do ta lajmërojmë këtë nismë plotësuese, të paketës së zgjeuar për t’u ardhur në ndihmë atyre që janë në të zezë nuk marrin ndihmë ekonomike dhe janë në situatë të rëndë. Ndihmën do ta bëjmë shumë shpejt. Duam të shkojmë përtej ndihmës prej 80 mijë lekësh, sa do ta kalkulojmë, por do ta shohim më tej.