Me shumicën e shteteve evropiane mendjen top se kanë kaluar tashmë më të keqen e pandemisë së koronavirusit, vëmendja e tyre po kthehet kah mundësia e rikthimit të saj kur shoqëritë të provojnë t’i kthehen normalitetit. Por përtej sfidave epidemiologjike ka një kërcënim tinëzar që nuk është i natyrës patologjike, por i asaj ekonomike, politike dhe ushtarake. Kjo është vala e dytë gjeopolitike dhe fuqia e saj tashmë ka nisur të shqetësojë liderët perëndimorë.
Skenari i mundshëm
Merreni me mend këtë skenar: Bash në kohën kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisin të ndiejnë se e kanë nën kontroll koronavirusin, fillon të marrë hov në botën në zhvillim. Të dërrmuara, të zhytura në borxhe dhe të dëshpëruara për të kthyer gjallërinë ekonomike në vendet e tyre, shtetet e botës më të pasur do të jenë shumë të ngathëta për të ndihmuar. Paniku e bën të veten. Emigrantët ia mësyjnë Evropës Jugore, që ende po ka telashe për të siguruar ndihma financiare nga institucionet kryesisht perëndimore. Në këtë kaos, autokrati nuk e lë këtë mundësi pa e rrëmbyer. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që tashmë qartazi nuk kanë gatishmëri për të prirë, timoni po i dorëzohet Kinës në këtë kohë boshllëku në lidershipin botëror.
Ky është vetëm njëri prej skenarëve (të sajuar) prej një numri shqetësimesh të ngritura në kryeqytetet perëndimore dhe që më janë krijuar gjatë bisedave të shumta me një mori njerëzish, përfshirë ekspertë të sigurisë, akademikë dhe këshilltarë qeverish në javët e fundit. Prej të gjithë atyre me të cilët kam folur, pakkush ka dyshuar se një valë e dytë po ia beh. Shqetësimi kryesor ishte se kur do të shfaqet.
Historia e përparimit amerikan, sikur ka thënë Barack Obama njëherë, ka zigzaget e veta. Ndryshimet e mëdha plasin prej reagimeve e shpërthimeve reaktive: Kriza e madhe financiare e vitit 1929 në Shtetet e Bashkuara i hapi rrugë kontratës së re; fitorja e aleatëve më 1945 krijoi kushtet për Luftën e Ftohtë. Dekada që pasoi krizën financiare të vitit 2008 e solli eurozonën në zgrip të kolapsit, Britania pastaj votoi për dalje nga Bashkimi Evropian dhe Donald Trump u zgjodh president i SHBA-së. Sot ekonomia globale ka pësuar një tjetër kthesë të papritur, duke devijuar gjeopolitikën në kohën kur janë ngritur tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, tregtia është tkurrur me të madhe dhe dasitë strukturore ndërmjet Evropës Jugore dhe asaj Veriore janë thelluar edhe më shumë. Dilema atëherë është se çfarë mund të ndodhë në dekadën pas kësaj krize?
Kapitull i ri dhe “çartja” e pritshme ruse
“Historianëve u pëlqejnë ndërrimet e kapitujve”, ka deklaruar Robert Kaplani, ekspert i politikës së jashtme amerikane dhe ish-anëtar i Bordit të Politikës së Mbrojtjes së SHBA-së, i cili gjatë javës ka qenë i pranishëm në një debat të brendshëm të Kryeministrisë britanike në Londër për efektet e valës së dytë të krizës së virusit korona. “COVID-19 do të shihet si një ndërrim kapitulli”.
Në mesin e shqetësimeve të Kaplanit është edhe ai se si Rusia dhe lideri i saj, Vladimir Putin, do të veprojnë, frikë që i është dhënë jehonë prej zërave më me ndikim në politikën e jashtme britanike. Ata janë njerëz që druajnë se vala e dytë gjeopolitike e COVID-19 do ta godasë më së shumti Evropën. Michael Clarke, profesor i studimeve të mbrojtjes në Kolegjin Mbretëror të Londrës dhe ish-këshilltar i Komitetit kombëtar për strategji sigurie të Britanisë, e që vazhdon të jetë pjesë e etsablishmentit të politikës së jashtme të vendit, më ka thënë se një Rusi e dobësuar ekonomikisht, e qëlluar prej kolapsit të madh aktual të çmimeve të naftës, përbën rrezik të madh për interesat e sigurisë së Perëndimit. “Oportunizmi agresiv i Putinit me gjasë do të përkeqësohet edhe më shumë”, ka deklaruar Clarke. “Natyra e lidershipit të Putinit është se ai nuk mund të qëndrojë duarkryq: ai duhet të shkojë një hap më larg. Dhe kjo e bën atë më të cenueshëm”. Çfarë ndodh nëse lideri rus, i lodhur nga ekonomia e kolapsuar e vendit, ia mësyn testimit të fuqisë së NATO-s? Të tjerët, si puna e Bruno Maçaesit, ish-ministër portugez për Evropë, më ka thënë se kriza mund të mos e trimërojë Rusinë, por ta gjymtojë, duke i krijuar varësi edhe më të madhe nga Kina dhe ta sjellë sferën e ndikimit të Kinës në kufijtë e Evropës kontinentale. “Krizat”, ka vërejtur Kaplani, “i japin shtytje të madhe përpara historisë”.
BE-ja ndërmjet Kinës dhe SHBA-së?
Gama e gjerë e pasojave të një vale të dytë të mundshme t’i merr mendtë; prospekti i sëmundjes së përhapur në një vend në zhvillim të G20-s – ta zëmë, Indinë – që do të mund të sillte shpejt kthim të dyfishtë të virusit në Evropë dhe SHBA; ndikimi i paqartë i avancimeve teknologjike në fushat si inteligjenca artificiale që përdoren për të luftuar përhapjen e sëmundjes; një recesion që do të ndikonte për keq në raportet ndërmjet jugut të varfër dhe veriut të pasur të Bashkimit Evropian. Clarke është veçmas i shqetësuar për harkun e destabilitetit nga Afrika Perëndimore e deri në Lindje të Mesme e Azi, ku konflikti dhe destabiliteti kanë shtyrë viteve të fundit njerëzit të arratisen. Karin von Hippel, drejtoreshë e përgjithshme e Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, një grup britanik me ndikim i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i mbrojtjes, më ka thënë se “njëfarë llogaritjeje me Kinën” mund të bëhet gjithashtu. “Disa vende do të dalin nga ky batak duke u përpjekur t’i kacavirren Kinës … por shumica e shteteve të tjera me gjasë do të mundohen të luajnë të painkuadruarin”, ka thënë ajo. Për Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe ekonomitë e tjera evropiane të mbështetura me ombrellën amerikane të sigurisë, por që njëherësh duan të ruajnë marrëdhëniet me Kinën, vështirësia e menaxhimit pas ashpërsimit të retorikës anti-Kinë të administratës së Trumpit, mund të përshkallëzohet edhe më shumë.