Pastrohet Liqeni i Batllavës, vendosen edhe tabela vetëdijësuese

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Organizata Sundimi i Demokracisë në Kosovë (SDK) ka organizuar aktivitet për pastrimin përreth Liqenit të Batllavës, duke vendosur edhe tabela që bartin mesazhe për vetëdijesimin qytetar ndaj ruajtjes së ujit të pijshëm.

Në njoftimin e organizatës thuhet se ata janë të përkushtuar që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme të ndikojnë në rritjen e vetëdijes qytetare dhe njëkohësisht të avokojnë tek institucionet, për përkujdesjen ndaj ujit në Liqenin e Batllavës.

“Një ndër kërkesat e vazhdueshme ka qenë vendosja e shportave në hapësirat përreth Liqenit, e që tashmë këto shporta janë vendosur nga Komuna e Podujevës. Ndërlidhur me këtë, SDK ka ndërmarrë edhe një aksion të pastrimit përreth Liqenit “Batllava” në Orllan si dhe janë vendos disa tabela (pllakata) vetëdijësuese”.

“Përmbajtja e pllakatave ka për qëllim të ndikoj në masën qytetare mbi rëndësinë e ujit të pijshëm dhe kujdesit për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e ujit. Ky aktivitet është në kuadër të projektit ‘Aktivizmi qytetarë dhe institucional në përmirësimin e gjendjes për mjedis të shëndetshëm’ i cili mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme