Cila është vlera e përlotjeve të gazetarëve e emisioneve mediatike pas vrasjes së një 14 vjeçari? Ç’vlerë kanë ndërthurjet gazetareske që shtojnë trishtimin, ankthin e revoltën tek njerëzit e thjeshtë?!
A i keni pyetur ndonjëherë fëmijët tuaj adoleshentë se çfarë bisedash bëjnë me shokët dhe bashkëmoshatarët? Nëse jo, lexojeni: Biseda të fortësh, biseda gangosh me shumë lekë e me shumë femra, biseda Dubai, biseda makinash, biseda trimash që bëjnë emër duke mbajtur armë e duke kërcënuar, madje edhe duke goditur e duke vrarë.
Nuk ju duken gjëra të dëgjuara? I transmetoni prej më shumë se 20 vjetësh vetë ju. Legjenda të krimit, emra të mëdhenj me vrasje shumë, jetë luksose që kanë nisur me një thikë në brez, banda, para, drogë. Mos qani! Mos u përlotni, e mos bëni sikur ju merret fryma nga ngashërimi. Nuk keni dhënë asnjë ndihmë që kjo që po ndodh (prej vitesh) të mos ndodhte. Madje e keni yshtur. Në garën e ethshme për audiencë keni harruar kryesoren, njerëzit, njerëzoren, dhimbjen dhe empatinë.
Gjithçka është pjellë e shoqërisë. Edhe një qeveri hajdute, edhe një drejtësi e zhdrejtë, edhe një komunitet hilecak e përfitues, edhe një brez ku 14 vjeçarët nuk mendojnë të jenë konkurrues me njëri-tjetrin, por të luftojnë me njeri-tjetrin. Media ka pjesën e luanit në këtë tablo të trishtë, ku një 14 vjeçar vdiq, një tjetër u plagos e një tjetër shkoi në burg.
Po mund të ngashërehet gjithë bota me rrëfimet e shokëve, të afërmve, jetës së atij 14-vjeçari, dhe gazetarët tanë janë të aftë për këto, por sfida është që ata fëmijë të mos shohin “legjendat e krimit” si shembuj për t’u marrë, por legjendat e punës, suksesit dhe talentit.
Krimi nuk duhet të ketë vend më shumë se 20 sekonda në TV. Krimi e ka vendin në burg.