Sektori i patundshmërive vazhdon të jetë më tërheqës për qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe kontinente tjera. Kjo vërehet edhe në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, kur edhe ka lëvizje më të shpeshta të diasporës drejt Kosovës, vlera e investimeve, posaçërisht në patundshmëri, është më e lartë.
Vlera e përgjithshme e investimeve të huaja për periudhën janar –nëntor të vitit të kaluar ishte 265.3 milionë euro. Prej kësaj vlerë, vetëm gjatë tre muajve (korrik, gusht, shtator) janë investuar mbi 111 milionë euro, prej të cilave rreth 80 milionë euro në patundshmëri.
Zyrtarët në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë- KIESA, që funksionin në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, theksojnë se të dhënat tregojnë se dominojnë investimet ku është më tepër e përqendruar diaspora e Kosovës.
Në top-dhjetëshen e shteteve që kanë investuar më së shumti në Kosovë janë: Gjermania, Zvicra, Turqia, Britania e Madhe, Austria, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Franca dhe Bullgaria.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, si dhe ekspertë për çështje ekonomike thonë rënia e investimeve të huaja dhe përqendrimi i investimeve të diasporës në patundshmëri, është shqetësuese.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar, lidhur me investimet e diasporës, rezulton se mbi 76 për qind investimeve të tyre janë në patundshmëri, kurse 10 për qind kanë deklaruar se kanë investuar në Kosovë, por që gjysma e tyre kanë pasur sukses.
“Diaspora e sheh Kosovën si jo të përshtatshme për investime dhe të ngarkuar me taksa dhe barriera të ndryshme”, thotë.