Kur vdes një pacient në QKUK, familjarët duhet të presin deri në 2 orë për të përfunduar procedurat për lëshimin e kufomës. Personeli mjekësor duke përfshirë motrat, teknikët, mjekët por edhe stafi i sigurimit dhe pastrimit, vrapojnë pas familjarëve për t’ua siguruar transportin.
Kjo bëhet me qëllim të marrjes së ryshfetit nga transportuesi dhe ndodhë në disa klinika të QKUK-së. Kështu deklarojnë dy nga transportuesit, Armend Ahmeti nga kompania “Dardania” dhe Fadil Sadiku nga “Piramida”, shkruan Gazeta Shneta.
“Pasi vdes pacienti, mjekët dhe motrat i marrin familjarët dhe i qetësojnë. Iu qesin kafe apo ujë dhe ndërkohë i pyesin për transportin e kufomës. Tash ata e marrin përsipër organizmin dhe i thirrin transportuesit. Nëse ne ua japim 50 euro, kufomën e bartim ne. Nëse dikush tjetër iu jep më shumë, atëherë e merr ai. Këtë e bëjnë prej sigurimit, pastruesit, motrat e deri te mjekët”, thonë Ahmeti e Sadiku.
Ahmeti shton se shpesh herë ndodhë që personeli të grinden mes vete, e madje të mos flasin fare për shkak se ia “marrin njëri-tjetrit kufomat”. Sipas tij, ka kujdestarë që e shtyjnë orarin e punës vetëm për të pritur vdekjen e pacientit dhe më pastaj për të kontraktuar transportin.
Ahmeti tregon se transportin e kufomave e bëjnë 5 kompani dhe shton se sikur të mos përzihej stafi i QKUK-së, atëherë do të kishte punë për të gjithë. Bile ai thotë se në këtë mënyrë i dëmtojnë edhe familjarët.
“Transporti kushton 1 euro për kilometër. Tash ne detyrohemi me rrit çmimin për shkak se duhet me iu jep para atyre në QKUK”, thotë ai.