Partia e Drejtësisë, me rastin e 21-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, përmes një komunikate për media, është solidarizuar me popullin boshnjak duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga ata që shkaktuan masakrën e Srebrenicës, të cilën PD e cilëson si “ngjarjen më të turpshme në historinë e njerëzimit”.
“Në këto ditë pikëllimi dhe vuajtjesh për popullatën e Srebrenicës në veçanti, dhe për popullin boshnjak në përgjithësi, solidarizimi është ajo që më së paku mund të bëhet, duke pasur për qëllim që sadopak të zbuten dhimbjet të shkaktuara mizorisht 21 vjet më parë”.
“Drejtësia duhet të vihet në vend, që të hapet rruga e pajtimit në Ballkan, pajtimit të madh mes popujve që kanë kaluar histori të rënda mes vete. Falja nuk mund të ndodhë pa vënë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime në emër të luftërave të pakuptimta në Ballkan”.
“PD i shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë familjarëve që humben më të dashurit e tyre në masakrën e Srebrenicës. Njëkohësisht lut Zotin që një gjë e tillë të mos përsëritën kurrë më në asnjë vend të botës”, përfundon komunikata e PD-së.