Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se ratifikimi i Demarkacionit, mbetet kushti kryesor për liberalizmin e vizave dhe është domosdoshmëri për t’u votuar.
Ai ka hedhur poshtë pohimet se Qeveria me qëllim ka proceduar marrëveshjen në Kuvend për ta dështuar.
“Është e domosdoshme që të vijë dhe të renditet në një nga seancat plenare për t’u diskutuar dhe votuar. Unë mendoj se ky është qëllimi dhe nuk e besoj dhe nuk do të duhej të jetë qëndrim që të sillet Demarkacioni këtu në mënyrë që të dështojë”, tha Reçica.
Sipas tij, pritet që pas shqyrtimit në komisionet përkatëse, Marrëveshja për demarkacionit të sillet në seancë plenare.
“Ne jemi dhe kemi qenë dhe nuk kemi lëvizur nga ai qëndrim që Demarkacioni të votohet. Ka komunikime të liderëve dhe si partnerë të koalicionit, por edhe me opozitën që të ketë një konsensus, të ketë një marrëveshje që do të sigurohen votat e nevojshme për të kaluar Demarkacioni”, tha Reçica.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Atë kohë, parti partnere në qeverisje ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Opozita e quan lojë dërgimin e Demarkacionit në Kuvend
Qeveria e Kosovës fillimisht duhet t’i bindë deputetët e koalicionit qeverisës për ta votuar Demarkacionin, pastaj të kërkojë ndihmë nga partitë opozitare, i tha Radios Evropa e Lirë Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, Qeveria është ajo e cila duhet të gjejë përkrahje që marrëveshja të marrë votat e mjaftueshme për miratim.
“Kam përshtypjen se kryeministri Haradinaj ka dërguar marrëveshjen në Kuvend vetëm sa për ta hequr nga rendi i ditës në Qeveri dhe jo më një plan të qartë dhe një ide të qartë se çka do të bëjë me këtë projektligj”, tha Gashi.
Deputeti Gashi, vendimin e Qeverise për ta dërguar në Kuvend marrëveshje të cilën ka thënë se nuk e përkrah as kryeministri, e konsideron lojë.
“Zoti Haradinaj ka mundur ta rrëzojë në Qeveri këtë marrëveshja dhe t’ia dërgojë Kuvendit me rekomandim negativ, por mendoj se zoti Haradinaj ka bërë lojë me këtë rast dhe është e pandershme që të veprohet kështu”, tha Gashi.
Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës. Kjo marrëveshje tashmë ndodhet në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk dihet se kur do të procedohet në seancë plenare për votim.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Atë kohë, parti partnere në qeverisje ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Analisti Artan Muhaxhiri, mendon se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është shndërruar në një paradoks.
“Kjo që po ndodh është një paradoks sepse përkrahja apo stopimi i një marrëveshjeje zakonisht bëhet në nivel të Qeverisë dhe edhe synimet për ta ndryshuar atë duhet të bëhen shumë me herët deri sa të vije punë në Kuvend. Kryeministri Haradinaj është një pozicion shumë të vështirë sepse ka presione të mëdha si në Kosovë, po edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë që ta kalojë Demarkacionin, derisa qëndrimet e tij kanë qenë të ashpra në kundërshtim të tij”, tha Muhaxhiri.
Në praninë e ndërkombëtareve, Prishtina dhe Podgorica kanë nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin. Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.
Në Prishtinë, ka pikëpamje të ndryshme rreth kësaj Marrëveshjeje, e cila më zëshëm është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht partia e kryeministrit aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Bashkimi Evropian u ka bërë të qartë institucioneve të Kosovës se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet kusht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.