Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i Aleancës ka vazhduar edhe këtë të mërkurë aksionin e bllokimit të hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Kësaj radhe, deputetëve u janë bashkuar edhe asamblistë, drejtorë dhe aktivistë të kësaj partie nga Komuna e Mitrovicës.
Asamblisti i PDK-së në Mitrovicë, Gëzim Stavileci, tha se protesta synon mbrojtjen e rendit kushtetues, institucioneve dhe demokracisë në vend.
“Sot jemi këtu para Qeverisë së Republikës së Kosovës për një arsye të qartë: për ta mbrojtur rendin kushtetues, institucionet e shtetit dhe demokracinë tonë. Ne nuk jemi këtu kundër shtetit. Përkundrazi. Jemi këtu sepse ky shtet është i yni. Është ndërtuar me shumë mund, me shumë sakrificë dhe me shumë shpresë. Dhe pikërisht sepse besojmë në të, nuk mund të heshtim kur parimet mbi të cilat është ndërtuar vihen në pikëpyetje. Një shtet ku pushteti vendos rregullat sipas vetes? Apo një shtet ku rregullat janë më të forta se pushteti? Për ne, përgjigjja është e qartë. Prandaj, nga këtu, para Qeverisë së Republikës së Kosovës, themi qartë: Nuk ka demokraci pa Kushtetutë. Nuk ka shtet pa institucione. Nuk ka Republikë pa respektim të ligjit. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të institucioneve dhe në mbrojtje të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se me këtë aksion synojnë t’ia rikujtojnë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se askush nuk është mbi Kushtetutën.
“Edhe sot jemi këtu para dyerve të qeverisë bashkë me kolegë nga Partia Demokratike, Aleanca dhe struktura të tjera të dy partive, për të vetmin qëllim. Që ti tregojmë Albin Kurtit t’ia rikujtojmë që askush nuk është mbi kushtetutën. Deputeti Kurti mundet me ik nga përgjegjësia që të dal dhe të jap llogaridhënie para nesh, mirëpo nuk mund asnjëherë të ik para përgjegjësisë ndaj respektimit të rendit dhe ligjit dhe ndaj respektimit të vullnetit të qytetarëve”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, tha se përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve duhet ta marrin personat që kanë marrë mandat nga zgjedhjet e fundit.
“Jemi para objektit të qeverisë, në fund të fundit si objekti i qeverisë si ai i kuvendit janë vetëm objekte, por në fakt kërkojnë që të marrin përgjegjësi njerëz që kanë marrë obligime nga zgjedhjet e fundit. Njerëz që kanë marrë obligime dhe nuk e çojnë mesazhin në vend duke marrë përgjegjësitë e veta, sikurse është deputeti Kurti që ka uzurpuar pozitën e kryeministrit, duke qenë njëkohësisht deputet bashkë me vartësit e tij, ka uzurpuar institucionin edhe të kuvendit, pra si institucionin më të lartë ligjvënës, duke bllokuar jetën e qytetarit që nga niveli lokal, pra duke keqpërdorur buxhetin, duke ngulfatur zhvillimin e bizneseve, bizneset po mbyllen çdo ditë dhe mesazhin që po e përçon tek qytetari i thjeshtë është që ky vend po shkon çdo ditë duke u bërë jeta më e vështirë për të jetuar për shkak se një njeriut ju ka tek që të bllokojë institucionet në vend”, tha ajo.


