PDK formon Shtabin Qendror Zgjedhor: Bashkë drejt fitores më 9 shkurt!

Prishtinë | 25 Dhj 2024 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Partisë Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, me ç’rast ka formuar edhe Shtabin Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, me qëllim të koordinimit të plotë të aktiviteteve elektorale në të gjithë vendin.

Ky shtab do të udhëhiqet nga kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ndërsa në pozitën e zëvendësshefes së shtabit u emërua sekretarja e Përgjithshme, Vlora Çitaku.

Sipas një njoftimi për medie, diskutimet gjatë takimit u përqendruan në hartimin e planit të detajuar të aktiviteteve, përmes të cilave do të mobilizohen strukturat e partisë dhe do të dinamizohet angazhimi qytetar për zgjedhjet e ardhshme.

“Nën sloganin ‘Kosova mundet më mirë’, Partia Demokratike e Kosovës beson thellë se përmes vizionit tonë qeverisës dhe punës konkrete për realizimin e tij, vendi ynë mund të arrijë më shumë në çdo drejtim”.

PDK thekson se me kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamzën, ofron një udhëheqës të dëshmuar, të përkushtuar dhe me program konkret për secilin qytetar.

“Hamza është një personalitet i respektuar që gëzon besimin e qytetarëve, si lider që do të sjellë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”.

PDK u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen rreth këtij vizioni të përbashkët dhe të japin mbështetjen e tyre për një qeverisje që reflekton nevojat dhe ambiciet e të gjithëve, pa dallim.

Të ngjashme