PDK garon në zgjedhje me sloganin “Forca e Ndryshimit”

Prishtinë | 20 Sht 2017 | 17:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur sot sloganin e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit i cili do të jetë “Forca e Ndryshimit”.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi duke paraqitur sloganin e ri të partisë, tha se ai reflekton forcën dhe vullnetin e PDK-së për të ndryshuar vetë por edhe për t’iu prirë ndryshimeve në vend.

“Edhe kësaj here, sikurse ka bërë gjithmonë, Partia Demokratike e Kosovës po dëshmon se është e aftë të eci në hap me kohën, ka përgjegjësinë që ti dëgjoj e kuptojë më së miri kërkesat e qytetarëve dhe ka kapacitetet që të përgatisë ofertën më të mirë politike në vend”, tha Krasniqi.

Ai tha se hapi i parë i PDK-së si forcë e ndryshimit përbëhet nga kandidimi i mbi 80% të kandidatëve për kryetarë komunash për herë të parë, duke dëshmuar gatishmërinë për të ndryshuar dhe për tu ripërtërirë.

“Po ashtu një hap tjetër domethënës i ndryshimit është kandidimi i tre grave, profesioniste të shquara e të suksesshme, si kandidate për kryetare të komunës, duke demonstruar qëllimin tonë për të forcuar rolin e grave në vendimmarrje”, tha Krasniqi.

Në këtë konferencë nënkryetari i PDK-së ka paraqitur edhe logon e re të PDK-së e cila konsiston në akronimin e emrit të partisë në ngjyrë të kaltër, por me një stilizim modern të kokës së shqiponjës në shkronjën D.

“Shqiponja është padyshim një nga simbolet më të rëndësishme të popullit tonë dhe gjenezë edhe e emrit shqiptar. Ky simbol kombëtar ka ardhur që prej luftës çlirimtare dhe e ka shoqëruar partinë tonë gjatë gjithë viteve të veprimtarive të saj. Pjesë e këtij ribrendimi është edhe faqja e re internetit që sapo kemi lansuar”, tha Krasniqi.

Kadri Veseli e nis fushatën në Mitrovicë

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që ditën e parë të fushatës mos ta bëjë në formë tradicionale në ndonjë tubim, por “përmes aktiviteteve që vënë në qendër të vëmendjes qytetarin”.

“Fushata jonë do të nisë në të gjitha komunat ku ne kandidojmë”, tha Krasniqi.

“Të gjithë kandidatët do të jenë në mesditë në takime të drejtpërdrejta me qytetarët, derë më derë dhe dorë më dorë”.

Ai konfirmoi se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, nesër do të jetë në Mitrovicë për t’u takuar drejtpërdrejt me qytetarët.

“Ne besojmë se kjo fushatë zgjedhore është një fushatë që po ashtu do të shoqërohet me tubime më klasike dhe tradicionale. Mbi të gjitha fokusi kryesor i  PDK-së, i kandidatëve tonë, do të jetë padyshim qytetari”.

Në fund, Krasniqi thirri për një fushatë të qetë, të drejtë dhe demokratike dhe një proces zgjedhor të ngjashëm me zgjedhjet “e shkëlqyera” që u mbajtën më 11 qershor.

 

Të ngjashme