Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se nuk ka kurrfarë dilemash se koalicioni PAN do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës. Ai thotë se pozita e kryeparlamentarit i takon PDK-së dhe s’mund t’i lihet Listës Serbe.
Për nënkryetarin e PDK-së Memli Krasniqi nuk ka kurrfarë dileme se koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, ndonëse duke u bazuar në rezultatin e fundit zgjedhor ky koalicion nuk i ka votat e mjaftueshme që bashkë me minoritetet t’i formojë institucionet e reja qendrore.
Krasniqi gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se Qeveria e re do të mbështetet nga deputetë që, siç ka thënë ai, kanë vullnet t’i bashkohen vizionit të tyre dhe vullnetit të shprehur qytetarë për një lidership të fuqishëm, i cili kryen punë dhe merr vendime të mëdha dhe të nevojshme për vendin.
Pavarësisht humbjes së votave në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 në raport me zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 Krasniqi mohon se kreu i partisë, Kadri Veseli, do të japë dorëheqje.
Sipas tij, Veseli ka krijuar dhe ka udhëhequr koalicionin që i ka fituar zgjedhjet e 11 qershorit.
“Andaj lidershipi i tij është i pakontestueshëm. Si PDK ne e kemi kuptuar drejt mesazhin e votueseve tanë tradicionalë dhe të tjerëve dhe në këtë kuadër do t’i bëjmë analizat e nevojshme për vazhdimin e rrugës së reformave të nevojshme për fazën e ardhshme, qoftë në institucionet e vendit, qoftë brenda strukturave partiake”, ka thënë Krasniqi për “Zërin”.